Investimet në turizëm-Këtë vit u miratuan projekte për mbi 100 milion euro
Këtë vit janë miratuar projekte ndërtimi në hotele për më shumë se 100 milionë euro. Rritja e turizmit po bën që interesi për të investuar në struktura të reja të jetë i lartë edhe këtë vit.
Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, për nëntë muajt e parë të këtij viti janë dhënë gjithsej 55 leje ndërtimi për struktura akomoduese, numër ky i përafërt me 9-mujorin e parë të vitit të kaluar. Mbështetur në të dhënat e lejeve të ndërtimit, vlera e hoteleve të miratuar për t’u ndërtuar është rreth 12.7 miliardë lekë, në rritje me pesë e herë e gjysmë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018.
Vitet e fundit, turizmi po nxitet edhe përmes incentivave fiskale. Që prej vitit 2017, TVSH-ja për shërbimet ekomodimit u ul në 6%. Ndërsa vitin e kaluar u vendos që hotelet me katër dhe pesë yje të përjashtoheshin nga pagesa e tatimit mbi të ardhurat për një periudhë 10-vjeçare.
Sipas Instat, për 10 mujorin e këtij viti, Shqipërinë e kanë vizituar rreth 5.85 milionë shtetas të huaj, në rritje me më shumë se 8% krahasuar me vitin e kaluar. Ndërsa mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, shpenzimet e turistëve të huaj për 9 muajt e parë të këtij viti arritën në rreth 1.64 miliardë euro.
Megjithatë, një problem për rritjen e numrit të turistëve ngelen përmasat e vogla të njësive akomoduese në Shqipëri. Mesatarisht, një hotel në Shqipëri ka rreth 33 shtretër.
Një përmasë e tillë e bën të vështirë tërheqjen e grupeve të mëdha, por mbi të gjitha nuk mundëson përfitime nga ekonomitë e shkallës.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.