Investimet në urgjencë, Manastirliu: 32 autoambulanca të reja i bashkohen flotës brenda vitit
Gjatë një viti një në tre qytetarë ka nevojë për shërbimin e urgjencës. Me ndryshimet që i janë bërë këtij shërbimi në 18 muaj, që nga nisja e projektit është bërë e mundur të shkurtohet koha e pritjes për pacientë në vendngjarje.
Sipas Ministres së Shëndetësisë dhe të Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirli koha e pritjes është shkurtuar nga 35 minuta në 20 minuta.
Ndërkohë që të gjitha ekipet e urgjencës janë pajisur me uniforma të reja si dhe me 100 sete të ndihmës së shpejtë për të gjitha autoambulancat në vend. Brenda 2018, flotës së ndihëm së shpejtë do ti shtohen edhe 32 autoambulanca të reja.
“Brenda vitit do të kemi 32 autoambulanca të reja, moderne, plotësisht të pajisura me mjetet jetëshpëtuese -defribilator, bombula oksigjeni, aspirator, etj- që padyshim do të sjellin një cilësi të re shërbimi për qytetarët”, tha Manastirliu.
Në shërbimin e urgjencës janë investuar mbi 22 milionë euro, ndërkohë që investimet do të vijojnë sipas ministres së Shëndetësisë. Ndërsa referuara pagave të personelit është premtuar se do të ketë përsëri rritje. Aktualisht personeli i urgjencës ka shkuar në 120 persona nga 63 që ishte më parë.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.