Investimet publike – 3 mujori, 2.3 miliardë lekë më shumë se në vitin 2016
Ecuria e shpenzimeve buxhetore, sidomos ato kapitale janë gjithnjë e më tepër në vëmendjen e opinionit publik. Por krahasuar me vitet e kaluara, ku ka pasur një mosrealizim të investimeve, duket se ky fillimviti ka qenë më i mbarë.
Kështu referuar të dhënave të Ministrisë së Financave, shpenzimet kapitale për 3 mujorin e vitit 2017, paraqesin një realizim në masën rreth 9.5 miliard lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016, ky zë është 31.5% më i lartë, ose rreth 2.3 miliard lekë më shumë.
Duke parë këto të dhëna dalin dy anë, ose ka një mirëmenaxhim të financave publike ose të qënurit vit elektoral ka nxitur vënien në eficencë të investimeve. Sipas të dhënave, shpenzimet e përgjithshme publike, për muajin e tretë të vitit 2017 arritën në rreth 91.9 miliard lekë, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016, ky zë ka rezultuar rreth 11.3 për qind më i lartë, ose rreth 9.3 miliard lekë.
Shpenzimet korrente në raport me planin 3 mujor të këtij viti rezultuan në 82.7 miliard lekë, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar me 11.3% më i lartë ose rreth 7.4 miliard lekë më shumë.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.