Investimi, 17 miliard lekë – Balluku: Punimet do të zgjatin 33 muaj
Një muaj pas shpalljes së kompanisë fituese, ka nisur puna për ndërtimin e tunelit të Llogarasë. Gjatë ceremonisë së zhvilluar, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bëri me dije se punimet pritet të përfundojnë për 33 muaj, nga 36 muaj që ishte kërkuar paraprakisht.
Sipas Ballukut, shpejtësia e lejuar në tunel do të jetë 50-80 km/orë ndërkohë që vëllimi i makinave gjatë sezonit turistike pritet të arrijë në 10 mijë.
Kryeministri Edi Rama u ndal te reduktimi i kohës së udhëtimit për të akesuar jugun e vendit, ndërsa theksoi se kjo vepër infrasrukturore do të jetë në vazhdën e projekteve të tjerë që janë ndërtuar apo po ndërtohen, sikurse është edhe aksi Orikum-Dukat.
Kontrata për ndërtimin e kësaj vepre të rëndësishme infrastrukturore u fitua nga një konsorcium turk, ndërkohë që investimi kap vlerën e 17,036,526,000 lekëve, nga 18.96 mld lekë që ishte fondi limit i vënë në dispozicion.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.