Investimi në bono – Individët, pjesa e tregut arrin në 15.04%
Pjesëmarrja e individëve në tregun e titujve të qeverisë shqiptare ka arritur një rekord historik. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, në fund të vitit 2016, individët mbanin 15.04% të totalit të borxhit të brendshëm, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë.
Për shkak të rënies së ndjeshme të interesave të depozitave, vitin e kaluar individët kanë tentuar më shumë investime në ankandet e bonove dhe obligacioneve, për të përfituar interesa sadopak më të lartë.
Në veçanti, obligacionet kanë ruajtur norma interesi të kënaqshme, duke qëndruar mjaft tërheqëse për investitorët edhe gjatë vitit 2016. Përveç individëve, peshë të konsiderueshme në treg kanë edhe institucionet financiare, kryesisht fondet e investimit, me rreth 15.3%.
Edhe këto fonde kryesisht investojnë në bono dhe obligacione të individëve, ndaj, tërthorazi, bëhet fjalë për një pjesë tregu që në shumicë i takon individëve dhe që e çon pjesën e tyre, në total, në mbi 30%.
Nga ana tjetër, pesha e bankave tregtare në totalin e borxhit të brendshëm është rritur gjatë vitit 2016. Sipas Ministrisë së Financave, bankat tregtare mbajnë 60.29% të borxhit të brendshëm, nga 58.2% që kishin në fund të vitit 2015.
Ndërkohë, pjesa e Bankës së Shqipërisë ka rënë në 9.28%, nga 9.91% që pati qenë në fund të vitit 2015. Në fund të vitit 2016, borxhi i brendshëm i qeverisë shqiptare kishte vlerën e 561 miliardë lekëve, në rritje me 1.8% krahasuar me një vit më parë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.