Investimi për stadiumin e ri – Ruhet fasada historike, Margariti: Punimet ecin me ritme të larta
Pjesë integrale e stadiumit të ri kombëtar do të jetë edhe hyrja kryesore, e cila u çmontua nga stadiumi i vjetur dhe u rivendos në stadiumin modern ku kombëtarja jonë do të zhvillojë ndeshjet e saj. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti e shoqëruar nga arkitekti Marco Casamonti, panë nga afër këtë monument, pjesë e historisë dhe traditës tonë futbollistike.
“Puna ka qenë të katalogonim të gjithë pjesët, ti vendosnim nga një numër të gjithave një e nga një dhe ti magazinonim. Duke i çmontuar i kemi pastruar, janë pastruar me një hedhje të lehtë uji dhe sapun për të hequr papastërtinë që ishte akumuluar ndër vite. Pasi u ndërtua godina e re kemi rivendosur tribunën kryesore që është edhe vepra kryesore e Bosios, në pozicionin identik siç ishte përpara në aks perfekt me strukturën urbane që ndodhet përreth”, tha Casamonti.
“Më pëlqeu shumë edhe rikonstruksioni që jeni duke bërë i dokumentacionit dhe videove të kohës sepse ndoshta studentët nuk e dinë por është një pjesë e munguar e historisë së qytetit tonë”, – tha ministrja e Kulturës.
Ruajtja dhe rivendosja e fasadës historike është bërë në pozicionin identik siç ishte përpara, në aks perfekt me strukturën urbane që ndodhet përreth, duke ruajtur në këtë mënyrë edhe veprën e Gherardo Bosios, që u bë pjesë e debateve të forta gjatë nisjes së punimeve të stadiumit. Ndërkaq, puna për përfundimin e stadiumit po vijon me ritme të larta dhe konform kushteve dhe specifikave të institucionit më të lartë të futbollit Europian, UEFA.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.