Investitorët braktisin paundin – Analistët presin $1.20 nëse ndodh Brexit pa marrëveshje
Paundi ndodhet në një rënie rekord dhe nuk ka shumë investitorë që janë të gatshëm të pranojnë humbje të mëtejshme. Fondet e investimeve në Britani kanë shkurtuar pozicionet për blerje të paundit, ndërkohë që janë rishfaqur trazirat politike mbi daljen e vendit nga Bashkimi Europian.
Ndërkohë që dorëheqja e një ministre të lartë shtoi presionet për Theresa May që të braktisë marrëveshjen e saj, rreziku i Brexit të çrregullt është shtuar. Paundi ra në nivelin më të ulët në 4 muaj prej 1.26 dollarë dhe ndodhet në periudhën më të gjatë të humbjeve kundër euros, prej shqetësimeve se pasardhësi i Theresa May do të nxjerrë Britaninë pa marrëveshje apo do thërrasë zgjedhje të parakohshme.
Ish sekretari i jashtëm, Boris Johnson, shihet si kandidati kryesor dhe personi që preferohet më pak nga tregjet. Liderja e dhomës së ulët në Parlament, Andrea Leadsom dha dorëheqjen këtë javë, duke shtuar presionet për Kryeministren. Ndërkohë që valutat kryesore kanë pasur rritje në katër muajt e parë të vitit, paundi ka rënë në fund gjatë Majit. Që prej referendumit të vitit 2016, paundi ka humbur 15%.
Sipas analistëve, nëse ndodh Brexit pa marrëveshje apo zgjedhje të parakohshme, paundi mund të prekë 1.20 dollarë. Në afat-shkurtër, fuqizimi i partive pro-Bashkimit Europian në zgjedhjet e parlamentit këtë javë, apo kalimi i marrëveshjes së Theresa May në parlament, do të mbështeste sterlinën.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.