Investitorët me sytë nga Shqipëria – Turizmi dhe Agroturizmi sektorë potencial me lehtësi fiskale
Fokusi i zhvillimit ekonomik në vendin tonë është përqendruar në investimet në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Partner kryesor i Shqipërisë në këtë iniciativë është Italia. Sipas kryetarit të rajonit të Molisës në Itali, Donato Toma Shqipëria është një vend me potencial të lartë për të thithur investitorët e huaj. Krahu i punës së lirë dhe paketa fiskale është një nxitës që investitorët Italian të vijnë në Shqipëri.
Sipas Aldrin Dalipit, zëvendës president i Eurorajonit Adriatiko-Jonian Shqipëria është kthyer në një atraksion për të huajt me projektet që po implementon. Këto projekte nuk ndikojnë vetëm në transformimin urban të vendit por edhe në punësimin e të rinjve.
Aktualisht në Shqipëri bizneset italiane janë të fokusuara kryesisht në fasoneri por sipas specialistëve të ekonomisë ka ardhur koha që të ketë investime edhe në sektorë të tjerë. Dy sektor me interes janë turizmi dhe agroturizmi. Për këtë të fundit qeveria po harton një paketë me masa lehtësuese për këdo që do të investojë në agroturizëm.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.