Investitorët, optimistë për Eurozonën – Rrisin ekspozimin në aksionet europiane, largohen nga titujt e SHBA
Investitorët globalë kanë rritur zotërimet në titujt e kapitalit dhe të borxhit të Eurozonës në nivelet më të larta në 2 vite, duke reflektuar besimin se Banka Qendrore Europiane nuk do te nxitohet me rritjen e normave te interesit.
Investitorët kanë kërkuar për sinjale nga Banka Qendrore Europiane, se kur do të nisë reduktimin e programit të blerjes së aktiveve, megjithatë, institucioni i la politikat monetare të pandryshuara në muajin Korrik dhe nuk dha detaje mbi përfundimin e stimujve. Kjo i dha një nxitje të re investitorëve për aktivet Europiane.
Një sondazh i “Reuters” mbi alokimin mujor të aktiveve drejt 50 fondeve të investimit në Europë, SHBA, Britani dhe Japoni, tregoi se aktivet në bllokun e valutës së përbashkët vazhdojnë të preferohen. Sipas anketimit, fondet e investuara në titujt europian të kapitalit arrinin në 20.1% të totalit për muajin Korrik, niveli më i lartë që prej Gushtit 2015 dhe në rritje me 3.4% që prej fillimit të vitit.
Zotërimet e titujve të borxhit në Eurozonë janë rritur gjithashtu, në 29.2%. Ekzekutivët e anketuar nga Reuters mendonin se ndër 4 bankat qendrore më të mëdha në botë, BQE dhe Banka e Japonisë do të jenë institucionet që do të mbeten pas, në nisjen e ciklit tkurrës monetar. Investitorët kanë rritur gjithashtu ekspozimin ndaj titujve të kapitalit në Japoni, në 17.7% në Korrik, që është niveli më i madh në 1 vit.
Nga ana tjetër, në SHBA, zotërimet e aksioneve kanë rënë në 39.3%. Edhe pse tregjet në SHBA janë rritur në nivele rekord, disa investitorët shqetësohen për çmimin e aktiveve. Ndërkohë që premtimet e Donald Trump për ulje të taksave dhe shpenzime në infrastrukturë janë reflektuar me kohë në tregje, investitorët janë tashmë të cenuar ndaj zhgënjimeve.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.