Investitorët qetësohen nga zgjedhjet – Euro rritet prej “disfatës” së nacionalistëve. Tregjet, në të gjelbër
Tregjet europiane kanë reaguar pozitivisht ndaj zgjedhjeve parlamentare në Europë, ku partitë tradicionale ruajtën pozitën e tyre, përballë kërcënimit nga populistët. Valuta e përbashkët europiane u rrit sipër 1.12 kundër dollarit amerikan pas publikimit të rezultateve. Partitë e djathta ekstreme në Itali, Britani, Francë dhe Poloni, dolën të parat në votimet kombëtare ditën e Diel, duke tronditur politikat brenda vendit, por dështuan të ndryshojnë ekuilibrin e fuqisë pro-Europiane në asamblenë e Bashkimit Europian.
Në nivel europian, Socialistët, të Gjelbërit, Liberalët dhe Konservatorët, morën 506 nga 751 vende në parlamentin europian, që kalon ligjet për më shumë se 500 milionë europianë. Megjithatë, euro mezi e ruajti nivelin prej 1.12$, ndërkohë që lehtësimi i investitorëve nga rezultati i euro-skeptikëve, u limitua prej humbjes së vendeve nga blloqet më të mëdha. Ndërkohë që blloqet e qendrës së djathtë dhe qendrës së majtë humbën mazhorancën e ndarë, fuqizimi i të Gjelbërve dhe Liberalëve, nënkupton se partitë e përkushtuara te fuqizimi i unionit, mbajtën 2/3 e vendeve. Indekset e titujve të kapitalit në kontinent, u hapën të gjitha në performancë pozitive ditën e Hënë.
Ndër kompanitë me performancën më të mirë ishte Fiat-Chrysler, që u rrit me thuajse 20%, pas raportimeve se pritet të bashkohet me aleancën Renault-Nissan, duke formuar prodhuesin më të madh më botë të makinave.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.