Inxhinierja Bozo këshillon në mbledhje: “Mos ndërtoni pa projekte, të përmirësohet ligji dhe të ndëshkohen abuzuesit”
Specialistja dhe Inxhinierja Luljeta Bozo ka qenë e ftuar në mbledhjen e dytë të Komiteti Kombëtar të Rindërtimit nga kryeministri Rama për të shprehur idetë e saj rreth procesit të rimëkëmbjes pas fatkeqësisë së tërmetit të 26 nëntorit.
Me marrjen e fjalës, znj. Bozo ka evidentuar disa nga problematikat që shtetit duhet t’i shmangë gjatë planit për rindërtimin e vendit
“Kam disa probleme. Kemi një evidentim, që mund të ndryshoj shumë pak, sidomos në zonat rurale. Cilat janë ato godina që janë shembur fare dhe njerëzit janë në çadra, cilat janë ato që kanë dëmtime të lehta, duhet të specifikohet që të dimë se sa punë kemi për të bërë dhe duhet bërë brenda një kohe shumë të shkurtër. Brenda një jave duhet ta kemi këtë panoramim.
Pas kësaj, duhet bërë një plan organizimi, nga njësia vendore ta organizojë punën se si të fillojë me strehimin e banorëve, nga ato që janë në qiell të hapur dhe të jepet një afat, afati është shumë i rëndësishëm. Që çdo gjë të jetë shumë e qartë. Kur janë tre-katër kurora në një shtëpi, sa shtëpi do t’u bëhet atyre.
Problemi i fondit për banesat private, shteti, por të jap fond dhe individi.
Asnjë komunë nuk duhet të pranojë një rindërtim pa projekt, është e pamundur. Administrata të jetë më operative, nuk duhet të punojë më me ritmin që ka punuar më herët.” – tha Bozo.
Mes tjerash, Luljeta Bozo, u ndal edhe tek një tjetër shqetësim, i cili ka të bëjë me pallatet e qyteteve. Ajo tha se qytetarët kanë ndërhyrë në mënyrë abuzive duke prishur kolonat e pallateve në katet e para, ndërsa në fund ftoi gjyqësorin të veprojë dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë.
“Në qytet kam një shqetësim të madh. Ka objekte që strukturat janë shumë mirë, por ka kaq shumë ndërhyrje se nuk jam e sigurt seç bëhet më vonë. Janë hequr muret, arkitrarët, dhe brezat e betonit. Këto janë ndërhyrje që kanë bërë banorët. Këta që kanë bërë këtë dëm duhet të përgjigjen. Të bëhen verifikime të objekteve nëse qëndrojnë apo jo.
Ligji duhet të përmirësohet, sepse janë bërë shumë shkelje dhe duhet të përditësohen normat teknike, pasi ne vazhdojmë të punojmë me metodologjinë sizmike të vendosur që nga viti 89’ i tërmetit të Shkodrës. Shpresojmë që të veprojë edhe gjyqësori. Unë e kam me shumë merak, duhet të vihen në lëvizje njësitë vendore, s’mund ta përballojë këtë vetëm qeveria”-tha ajo.
Geri Kolgega / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.