Iran-SHBA, përplasje në Vienë – “Sanksionet janë terrorizëm ekonomik”
Irani sulmoi Shtetet e Bashkuara mbi çështjen bërthamore në mbledhjen e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike në Vienë. Javën e kaluar, u konfirmua se Irani ka tejkaluar limitin e uraniumit të pasuruar, në kundërpërgjigje të sanksioneve amerikane. Ambasadori amerikan në Agjenci, Jackie Wolcott, akuzoi Teheranin për “zhvatje bërthamore”, çka solli edhe tërheqjen e SHBA nga marrëveshja e vitit 2015. Irani u kundërpërgjigj duke i quajtur Shtetet e Bashkuara “terroristë ekonomikë”, për rivendosjen e sanksioneve paralizuese ndaj republikës islamike.
“SHBA nuk ka shkelur vetëm premtimet e veta, por nëpërmjet presioneve ekonomike, ka parandaluar komunitetin ndërkombëtar, shtetet dhe entet private që të zbatojnë premtimet ndaj Iranit”, tha Kazem Gharib Abadi, ambasadori iranian në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike. Kreu i delegacionit kinez tha se Pekini nuk i sheh me rrezik lëvizjet e fundit të Iranit. Ndërkohë, tre vendet europiane, Gjermania, Franca dhe Britania, janë përpjekur të përdorin diplomacinë me Iranin, në përpjekje për të shpëtuar marrëveshjen. Irani kërkon që Europa ta mbrojë nga sanksionet e Washingtonit.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.