Ish të përndjekurit, lista e dokumenteve që duhen dorëzuar për të marrë dëmshpërblimin
Pas njoftimit për çeljen e këstit të 7 të dëmshpërblimit, ish të përndjekurit politik duhet të dorëzojnë disa dokumente për të përfituar paratë.
Ministria e Financave ka detajuar listën e dokumenteve që duhet të dorëzojnë ata që vuajnë nga sëmundjet e rënda, ish të dënuarit që kanë trashëgimtarë apo pasardhës në moshë të mitur, kujdestarët ligjorë dhe të deleguarit e ish të përndjekurve politikë.
Ashtu siç u bë e ditur edhe ditë më parë, mbështetur në ligj, VKM dhe urdhrin e Ministrisë së Financave, pagesa për kategorinë e subjekteve parësore, kryhet sipas kësaj radhe:
-Ish të dënuarat politike gra, që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës;
-Ish të dënuarit politikë, që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës dhe që kanë moshën mbi 75 vjeç me hyrjen në fuqi të këtij ligji;
-Ish të dënuarit politikë, të cilët vuajnë nga sëmundje të rënda, sipas përcaktimit të aktit nënligjor të posaçëm;
-Ish të dënuarit politikë që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës, të cilët pavarësisht nga mosha, kanë pasardhës të radhës së parë në moshë të mitur, me hyrjen në fuqi të këtij ligji;
-Ish të dënuarit politikë që nuk jetojnë dhe që kanë trashëgimtarë të radhës së parë, të cilët janë në moshë të mitur me hyrjen në fuqi të këtij ligji;
-Ish të dënuarit politikë që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës dhe që kanë moshë nën 75 vjeç me hyrjen në fuqi të këtij ligji.
Dokumentet që duhen dorëzuar
Të gjithë subjektet përfituese pjesë e listës për pagesën e këstit të shtatë të kategorisë parësore, duhet të dërgojnë, dorazi ose me postë, në Ministrinë e Financave dokumentet e parashikuara në aktet nënligjore, si më poshtë vijon:
-Për kategorinë e parë parësore, ish të dënuarat politike gra, që jetojnë; për kategorinë e dytë parësore, ish të dënuarit politikë, që jetojnë mbi 75 vjeç me hyrjen në fuqi të këtij ligji; për kategorinë e gjashtë parësore ish të dënuarit politikë që jetojnë që kanë moshë nën 75 vjeç me hyrjen në fuqi të këtij ligji, dokumentet që duhet të dërgojnë janë:
a)Certifikatë personale jo më e vjetër sesa një javë nga data e dorëzimit;
b)Numër llogarie bankare në Lek në njërën nga bankat e nivelit të dytë që vepron brenda territorit të Republikës së Shqipërisë (Personat që depozitojnë numrin e llogarisë bankare duhet që të sigurohen që llogaria bankare, në të cilën do të depozitohet kësti i radhës, të jetë ende aktiv).
Të dënuarit politik që vuajnë nga sëmundjet e rënda
Për kategorinë e tretë parësorë ish të dënuarit politikë, të cilët vuajnë nga sëmundje të rënda, dokumentet që duhet të dërgojnë janë:
a)Certifikatë personale jo më e vjetër sesa një javë nga data e dorëzimit;
b)Numër llogarie bankare në Lek në njërën nga bankat e nivelit të dytë që vepron brenda territorit të Republikës së Shqipërisë (Personat që depozitojnë numrin e llogarisë bankare duhet që të sigurohen që llogaria bankare, në të cilën do të depozitohet kësti i radhës, të jetë ende aktiv).
c)Vendimi i KMCAP, (KEMP-i epror), i cili vërteton humbjen e plotë të aftësisë për punë, origjinale. Vendimi duhet të jetë plotësuar saktë, me shkrim të lexueshëm, pa korrigjime, duhet të ketë të shkruar emrin/ mbiemrin e anëtarëve të KMCAP dhe nënshkrimin e tyre me vulën e komisionit.
d) Epikrizë për sëmundje onkologjike, malinje dhe sëmundje të gjakut të pashërueshme të lëshuara nga: Qendra Shëndetësore Universitare “Nënë Tereza”, Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi”, Spitali Universitar “Mbretëresha Geraldinë”, Spitali Universitar “Koço Glozheni” . Kjo epikrizë përgatitet nga mjeku që trajton të sëmurin, nënshkruhet me emrin dhe mbiemrin e mjekut kurues. Shefi i Shërbimit vërteton saktësinë e diagnozës dhe e nënshkruan këtë dokument dhe në fund, epikriza firmoset nga drejtuesi i institucionit shëndetësor me vulën përkatëse.
Dokumentet për ata që kanë pasardhës dhe trashëgimtarë të parë në moshë të mitur
Për kategorinë e katërt parësorë ish të dënuarit politikë që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës, të cilët pavarësisht nga mosha kanë pasardhës të radhës së pare në moshë të mitur, me hyrjen në fuqi të këtij ligji, dokumentet që duhet të dërgojnë janë;
a)Certifikatë personale jo më e vjetër sesa një javë nga data e dorëzimit;
b)Numër llogarie bankare në Lek në njërën nga bankat e nivelit të dytë që vepron brenda territorit të Republikës së Shqipërisë (Personat që depozitojnë numrin e llogarisë bankare duhet që të sigurohen që llogaria bankare, në të cilën do të depozitohet kësti i radhës, të jetë ende aktiv).
c)Certifikatë familjare ku të përfshihet fëmija i mitur;
d)Certifikatë personale të fëmijës/fëmijëve të mitur.
-Për kategorinë e pestë parësorë ish të dënuarit politikë që nuk jetojnë dhe që kanë trashëgimtarë të radhës së parë, të cilët janë në moshë të mitur, me hyrjen në fuqi të këtij ligjit, dokumentet që duhet të dërgojnë janë:
a)Certifikatë vdekje e ish të dënuarit politikë;
b)Certifikatë e trungut familjar të ish të dënuarit politikë, ku të përfshihen: fëmija/fëmijët e mitur;
c)Certifikatë personale e të miturit/miturve, trashëgimtarë të radhës së parë të ish të dënuarit politikë që nuk jeton;
d)Dëshmi trashëgimie për ish të dënuarit politikë, origjinale ose kopje e noterizuar.
e)Vendim Gjykate të kujdestarisë mbi të miturin në rastin kur edhe nëna/babai i të miturit nuk jeton më;
f)Nr. llogarie bankare në Lek, në emër të kujdestarit ligjor të të miturit, në njërën nga bankat e nivelit të dytë që vepron brenda territorit të Republikës së Shqipërisë (Personat që depozitojnë numrin e llogarisë bankare duhet që të sigurohen që llogaria bankare, në të cilën do të depozitohet kësti i radhës, të jetë ende aktiv);
g)Dokument identiteti (kopje ID-je, Pasaporte) të kujdestarit ligjor.
Dokumentet që dorëzojnë kujdestarët ligjorë
Kur ish i dënuari politik që jeton ose trashëgimtari ligjor, humbet zotësinë juridike për të vepruar, me vendim gjykate i është përcaktuar kujdestari ligjor, në këto raste veprimet nga Ministria e Financave bëhen në emër të personit me këtë të drejtë.
Kujdestari ligjor duhet të dërgojë në Ministrinë e Financave:
-Vendimin e Gjykatës mbi kujdestarinë ligjore, origjinale ose kopje e njësuar;
-Numër Llogarie bankare në Lek në njërën nga bankat e nivelit të dytë, në emër të kujdestarit ligjor;
-Dokument identiteti (kopje ID-je, Pasaporte) të kujdestarit ligjor;
-Certifikatë personale të ish të dënuarit politik jo më e vjetër sesa një javë nga data e dorëzimit.
Kur marrja e dëmshpërblimit delegohet
Ish të dënuarit politik që jetojnë ose trashëgimtari ligjor, kanë të drejtë ta delegojnë me prokurë të posaçme, tërheqjen e dëmshpërblimit financiarë. Në këto raste veprimet nga Ministria e Financave kryhen në emër të personit me këtë të drejtë. Personi me këtë të drejtë, duhet të dërgojë në Ministrinë e Financave:
-Prokurën e Posaçme, origjinale, bashkëlidhur duhet të ketë kopje të vlefshme të dokumentit të identitetit (kopje ID-je, Pasaporte) për çdo të përfaqësuar;
-Numër Llogarie bankare në Lek në njërën nga bankat e nivelit të dytë, në emër të tij;
-Dokument identiteti (kopje ID-je, Pasaporte) të tij;
-Certifikatë personale të ish të dënuarit politik jo më e vjetër sesa një javë nga data e dorëzimit.
(os.de)
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.