“ISHTI” ul ‘vrullin’ me gjobat – Për shtatorin penalizohen vetëm 16 subjekte
Përgjatë muajit shtator Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial ka gjobitur vetëm 16 subjekte të tregtimit me shumicë dhe pakicë të karburanteve dhe të lëndëve djegëse, pajisjeve nën presion dhe instalimeve elektrike.
Numri i masave administrative ka pësuar një rënie të dukshme në krahasim me muajin gusht, ku u gjobitën 62 subjekte.
Vetë ISHTI njoftoi gjatë verës intensifikimin e kontrolleve, pas shpërthimit të një depozite gazi në një kompleks turistik në Velipojë, çka u reflektua edhe në numrin e subjekteve të penalizuar.
Por, mesa duket me kalimin e verës dhe ngjarjes së rëndë, ky institucion i është rikthyer aktivitetit normal, në drejtim të trendit të gjobave. Ndërkaq, sa i takon masave administrative për shtatorin, vlera totale e tyre është 4,2 milion lekë, ndërkohë që kjo shifër për muajin gusht ishte 16.9 milion lekë.
Për periudhën kohore janar-gusht Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial ka vendosur në total 122 subjekte, por pjesa dërrmuese e tyre i takojnë muajit korrik dhe gusht me 112 gjoba.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.