Ishujt tajlandezë, destinacioni ideal për 2017
Tajlanda është një nga vendet më të bukura e më të përshtatshme për tu vizituar, ka një shumëllojshmëri ishujsh të cilët shkojnë përtej imagjinatës. Secili prej këtyre ishujve ka karakteristika të veçanta por rëra e bardhë, shtëpizat elegante prej druri si dhe shtratet e varura buzë detit, që valëviten mes dy palmash janë karakteristikë e gjithsecilit prej tyre. Por përtej bukurisë, këta ishuj ofrojnë dhe një shumëllojshmëri zgjedhjesh. Më poshtë mund të shikoni se çfarë ofron secili prej këtyre ishujve e pse jo të zgjidhni atë që ju përshtatet.
1. Koh Phi Phi
Nëse po planifikoni të shkoni me pushime me miqtë tuaj atëherë Koh Phi Phi është ishulli më i përshtatshëm për ju. Vitet e fundit ky ishull është ndërtuar thuajse tërësisht nga e para si pasojë e goditjeve të tsunamit. Ky është një nga ishujt me reputacionin më të mirë për sa i përket argëtimit dhe aktiviteteve të shumta që ofron.
2. Koh Lanta
Koh Lanta përbëhet nga ishuj të vegjël prej të cilëve më i vizituari është Koh Lanta Yai. Ajo ka rezerva natyrore dhe plazhe të cilat nuk i shihni tjetërkund. Në këtë ishull ujërat janë të qeta dhe ishulli është i sigurt, kështu që mund të sillni edhe fëmijët tuaj.
3. Koh Chang
Koh Chang konsiderohet si Tajlanda në miniaturë. Është një ishull pothuajse i paprekur dhe pjesa më e madhe e tij është park kombëtar. Është destinacioni ideal për personat që pëlqejnë të eksplorojnë natyrën e janë të apasionuar pas xhunglave
4. Koh Lipe
Ky është një nga 51 ishujt që përbën Parkun detar Tarutao, në kufi të Malajzisë. Ishulli është mjaft i vogël dhe mund të eksplorohet në këmbë, ndoshta dorë për dore me personin e zemrës. Nëse ndiheni të lodhur dhe kërkoni një destinacion për tu relaksuar, Koh Lipe është vendi ideal.
5. Similan Islands
Similian islands janë plotë 9 ishuj të vegjël që formojnë një park kombëtar në Detin Andaman. Këta ishuj janë vendi ideal për eksplorimin nën ujor. Ju mund të notoni në ujërat e gjelbërta e të eksploroni shkëmbinj nën ujor si dhe korale të paprekura. Në veri të parkut kombëtar do të gjeni rërën më të butë dhe më të shndritshme që keni parë ndonjë herë.
Viola Hydi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.