Islanda heq kontrollet e kapitalit të vendosura në vitin 2008
Islanda ka përfunduar kapitullin e kontrollit të kapitalit, pas 8 vitesh të kufizimeve. Ministria e Financave deklaroi se gjatë kësaj jave, do të hiqen të gjithë kontrollet që kanë qëndruar që prej krizës financiare të 2008-ës, duke lehtësuar kufizimet për ekonomitë familjare dhe bizneset.
Ndryshimet që do të bëhen efektive ditën e Martë, do të ndikojnë firmat, fondet e pensioneve dhe individët, duke i dhënë këtyre akses të plotë në tregjet global të kapitalit.
“Duke filluar në ditën e Martë, ne do të amendojmë rregullat aktuale në mënyrë që kontrollet e kapitalit të hiqen për individët, bizneset dhe fondet e pensioneve. Kjo është një arritje e madhe për ristrukturimin e ekonomisë që ka nisur që prej goditjes nga kriza financiare”, deklaron Kryeministri Bjarni Benediktsson, krahas ministrit të financave, Benedikt Johannesson dhe guvernatorit, Mar Gudmundsson.
Ai shtoi se heqja e kufizimeve për bizneset drejt tregut të këmbimi valutor do t’i bëjë investimet e huaja më të lehta. Kontrollet po hiqen në një kohë që ekonomia e Islandës po performon mirë.
Ekonomia u rrit me 7.2% në vitin e kaluar, nxitur nga rritja e turizmit, investimeve dhe shpenzimeve konsumatore. Papunësia qëndron në 3% dhe inflacioni është nën kontroll.
Banka Qendrore e Islandës deklaroi njëkohësisht se ka hyrë në një marrëveshje për të blerë aktivet jashtë vendit të denominuara në kronën islandeze në një sasi prej 90 miliardë krona, apo 785 milionë euro, me një kurs këmbimi prej 137.5 krona për euro, për të mbrojtur ekonominë nga destabiliteti financiar, monetar dhe i kursit të këmbimit.
Islanda është gjendur në një konflikt me fonde që zotëronin rreth 1 miliardë dollarë asetet të denominuara në valutën vendase, të ngrira nga autoritetet islandeze.
Banka Qendrore lajmëroi se zotëruesit e kronës jashtë vendit mund të shesin asetet e tyre te institucioni në të njëjtin kurs këmbimi.
Fondet kishin nisur një betejë në gjykatat islandeze dhe në Autoritetin e Mbikëqyrjes të Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë, për të patur një normë më të mirë se ajo që Islanda i ofroi investitorëve në ankand gjatë vitit të kaluar.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.