ISTAT rishikon të dhënat – Rritet defiçiti e borxhi publik për 2017, përfshihen shpëtimet e bankave
Defiçiti buxhetor në Itali arriti në 2.3% të Produktit të Brendshëm Bruto në vitin 2017 ndërsa borxhi publik qëndroi në 131.8%, raporton zyra e Statistikave ISTAT, duke rishikuar në rritje vlerësimet e mëparshme.
ISTAT raportoi në fillim të Marsit një defiçit prej 1.9% në raport me PBB dhe borxhin në 131.5%. Zyra e Statistikave paralajmëroi atëherë se të dhënat ishin subjekt i rishikimeve për shkak se nuk përfshinte paranë publike të përdorur në shpëtimin e 3 bankave, përfshirë Veneto dhe Monte dei Paschi di Siena.
Duke përfshirë rekomandimet nga agjencia Europiane e Statistikave, Eurostat, defiçiti buxhetor u rishikua në rritje me 6.5 miliardë euro për 2017-ën dhe borxhi me 7 miliardë.
Qeveria e Paolo Gentilionit që largohet, kishte shënjestruar rënien e defiçitit këtë vit në 1.6% të PBB, por ka dyshime tashmë për arritjen e këtij objektivi.
Në zgjedhjet parlamentare më 4 Mars, Lëvizja 5-yjet dhe Liga e Veriut patën performancë të fortë me premtimet e tyre për të ulur taksat dhe shtuar shpenzimet në mirëqenie. Të dy partitë kanë thënë se do të rrisin defiçitin nëse është e nevojshme.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.