Itali, koalicion mes PD dhe 5 Yjeve? Presidenti Mattarella dëshiron të shmangë zgjedhje
Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte, zyrtarisht tha dorëheqjen të martën në mbrëmje, pas konfrontimeve të ashpra në Senat, që shkaktuan sërish paqartësi mbi të ardhmen politike dhe ekonomike të vendit. Conte, një profesor i drejtësisë, gjatë fjalimit të tij sulmoi zëvëndëskryeministrin Matteo Salvini, njëkohësisht edhe ministër i Brendshëm, tha se kërkesa e Salvinit për zgjedhje të reja kombëtare ishte e papërgjegjshme dhe e mbështetur në motive personale.
Sipas analistëve, fjalimi i Contes në Senati ishte gjithçka, përveçse pajtues. Ndërsa një reagim i Salvinit pak momente më vonë vulosi ndarjen përfundimtare midis dy kolegëve të dikurshëm. Me dorëheqjen e kryeministrit, situata politike dhe ekonomike në vendin fqinj duket më e paqartë se kurrë më parë.
Gjatë 14 muajve të fundit, që nga koha kur dy partitë populiste morën pushtetin dhe premtuan taksa më të ulëta, shpenzime më të larta në mirëqënien sociale dhe në infrastrukturë, përplasja mes Romës dhe Brukselit ka qënë në fokusin e investitorëve. Borxhi i Italisë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto qëndron në 131%, niveli më i lartë në Europë pas Greqisë. Partitë e tjera në Itali, sidomos Partia Demokratike e ish-kryeministrit Matteo Renzi, janë vendosur në opozitë dhe me lehtësi kanë sulmuar të dyja partitë në pushtet, Ligën dhe Lëvizjen 5 Yjet, se kanë ndërmarrë masa shtrënguese jo popullore dhe po dështojnë të ulin papunësinë e lartë, të krijuar që nga recesioni i madh i vitit 2008 dhe më pas nga kriza e borxhit në Europë.
Por, disa ligjvënës dhe analistë thonë se një bashkim i mundshëm mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes 5 Yjet mund të jetë opsioni më i mirë për Presidentin Sergio Mattarella, i cili tashmë do të udhëheqë konsultimet mes liderëve të partive, për të parë nëse mund të krijohet një mazhorancë parlamentare dhe të shmangë zgjedhjet e parakohshme.
Lidion Kulla/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.