Itali / Si izolimi i 17 milionë banorëve atje po teston limitet e demokracisë
Italia ka miratuar masa në dukje drakoniane për të ndaluar shpërthimin e Covid-19 që ka vrarë 366 njerëz në vend deri më tani.
Rreth 17 milion njerëz janë në karantinë në rajonin verior të Lombardisë dhe në 14 provinca të tjera, përfshirë Venedikun. Qeveria ka mbyllur gjithashtu hapësira publike si palestra dhe pishina në këto zona, dhe ka kufizuar rëndë përdorimin e bareve dhe restoranteve. Teatrot, kinematë dhe muzetë do të mbyllen në të gjithë vendin.
Këto hapa, të cilat pasojnë një vendim të mëparshëm për mbylljen e shkollave në të gjithë vendin, janë më të ashprat në Evropë. Megjithatë, ata ende nuk i kalojnë masat që Kina mori në janar për të përmirësuar një shpërthim të virusit në qytetin Wuhan dhe rajonin përreth. Kjo tregon kufijtë se sa larg mund të shkojë një shtet demokratik për të kufizuar liritë e qytetarëve të tij kur merret me një urgjencë mjekësore, dhe shtron pyetje se sa efektive do të jenë masat.
Arsyeja kryesore që merren këto masa është ngadalësimi dhe përmbajtja e virusit, i cili ka infektuar më shumë se 7,000 individë. Përhapja është duke u bërë shqetësuese për spitalet dhe, veçanërisht, njësitë e kujdesit intensiv në Lombardi. Frika është se madhësia e epidemisë do të bëhet e pamundur për tu menaxhuar, dhe se shpërthimi do të lëvizë vendosmërisht në jug, ku spitalet janë më pak në gatishmëri. Shpresa e Italisë është të përsërisë suksesin e Kinës, e cila arriti të kufizojë përhapjen e Covid-19 në Wuhan falë një sërë masash jashtëzakonisht të rrepta.
Sidoqoftë, masat e Italisë janë më të kufizuara. Qeveria po i lejon njerëzit të lëvizin nëpër zonat e prekura, dhe madje edhe t’i lënë ato, për arsye pune ose shëndeti. Roma thotë se do të gjobisë ose arrestojë ata që shkelin rregullat, por do të jetë e vështirë të patrullosh një zonë kaq të gjerë. Individëve u duhet vetëm një deklaratë me shkrim për të vërtetuar se ata po udhëtojnë për punë, një sistem ky i hapur për abuzim.
Këto vështirësi tregojnë për problemin themelor në kontrollimin e një epidemie kaq të rrezikshme në një vend demokratik që vlerëson liritë themelore siç është dhe liria për të lëvizur.
Dekreti duket se është më shumë një instrument për të bindur njerëzit të gjejnë mënyra për të qëndruar në shtëpi sa më shumë që të jetë e mundur, sesa si një listë me hapa të zbatueshme. Ndërsa shpërthimi godet vendet e tjera perëndimore, përfshirë SH.B.A., Gjermani, Francë dhe Britani, edhe ato do të përballen me të njëjtën dilemë si Italia. Për të gjitha fuqitë e tyre bindëse, qeveritë do të kenë nevojë për bashkëpunim të konsiderueshëm nga qytetarët e tyre për të qenë në gjendje të ngadalësojnë virusin dhe të kthehen në një jetë normale. Demokracitë i besojnë qytetarëve të tyre, tani është koha që ne të fitojmë atë besim.
Dosti Banushi – SCAN
Burimi: Bloomberg
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.