Italia merr masa të reja: Mësimi mund të kalojë 100% online! Në 18:00 mbyllen lokalet e restorantet! Stop palestrave e kinemave
Kryeministri Italian Giuseppe Conte ka firmosur tashmë rregulloren e re me masa shtrënguese kundër përhapjes së COVID-19 e në listën e këtyre masave të reja janë edhe mbyllja e restoranteve, bareve dhe embëltoreve në orën 18:00.
“Të dhënat e epidemiologëve që janë analizuar dëshmojnë për një rritje të shpejtë dhe pasojat në sistemin shëndetësor kombëtar janë në nivele shqetësuese. Por duhet të bëjmë gjithçka mundemi që të mbrojmë shëndetin dhe ekonominë. Ndaj, ka lindur nevoja e këtyre masave shtrënguese që do të hyjnë në fuqi sonte e do të zgjasin deri me 24 nëntor” tha Conte.
Po ashtu, masat parashikojnë mbylljen e teatrove, sallave të koncerteve dhe kinemave. Edhe pse nuk është marrë vendim për shtetrrethim dhe kufizim të lëvizjeve, Conte këshilloi që të lëvizet vetëm për arsye pune, shëndetësore, studimi apo nevoje dhe të mos pranohen në shtëpi persona që nuk bëjnë pjesë në familje.
Sa i përshket mësimit, rregullorja e re parashikon mundësinë që arsimi të bëhet 100 % në distancë por vendimi përfundimtar duhet të merret nga vetë drejtuesit e shkollave në kuadër të autonomisë që ato kanë nga qeveria.
Kryeministri italian konfirmon se dozat e para të vaksinave mund të mbërrijnë në dhjetor dhe do t’u jepen fillimisht kategorive më të ndjeshme dhe të ekspozuara ndaj rrezikut.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.