Italia ndalon hyrjen në bare, restorante dhe transport publik për të pavaksinuarit – 100 euro gjobë kush nuk respekton rregullat!
Kufizimet e reja që synojnë të pavaksinuarit hynë në fuqi në Itali të hënën, ku një test negativ për COVID-19 nuk jep më akses në bare, restorante dhe transport publik vendas. Kryeministri italian Mario Draghi i kritikoi ata duke theksuar se ishin pikërisht të pavaksinuarit shkaku i “shumicës së problemeve” pasi vendi vuan nga një përhapje e madhe e variantit Omicron.
Personat që së fundmi u shëruan nga COVID-19 përjashtohen nga rregulli i ri i cili do të jetë në fuqi deri më 31 mars. Kufizimi i fundit hyn në fuqi pasi shumë italianë u rikthyen në punë dhe shkollë pas periudhës festive të fundvitit.
Më shumë se 1000 komuna kanë vendosur të mbajnë shkollat të mbyllura në territorin e tyre, sipas raportimeve të mediave. Drejtorët e shkollave dhe sindikatat e mjekëve i kishin kërkuar qeverisë të shtyjë kthimin në shkollë me të paktën 15 ditë të tjera pasi nuk ka mësues të mjaftueshëm për t’u rihapur, pasi shumë prej tyre janë pozitivë ose në karantinë.
Italianët në përgjithësi i kanë mbështetur kufizimet, të cilat muajt e fundit kanë përfshirë edhe mandate për maska në natyrë dhe një leje standarde shëndetësore për të hyrë në vendet e punës. Shumë i mirëpritën kufizimet e reja, të cilat po zbatoheshin të hënën nga policia që dilte në stacionet e trenit për të kontrolluar statusin e vaksinës së pasagjerëve dhe për t’u siguruar që ata mbanin maska për fytyrën më mbrojtëse FFP2, të cilat kërkoheshin në transportin publik që nga e hëna.
Mosrespektimi i mandatit do të rezultojë me gjobë 100 euro. Italia ishte vendi i parë europian që u godit nga koronavirusi në fillim të vitit 2020 dhe ka një nga shifrat më të larta të vdekjeve, me pothuajse 140,000 vdekje.
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.