Italia në recesion? – Banka Qendrore “rrëzon” projeksionet për rritjen ekonomike
Për Italinë gjërat nuk po shkojnë aspak mirë.
Banka Qendrore e vendit ka rrëzuar tërësisht projeksionet për rritjen ekonomike gjatë këtij viti, në 0.6%, nga 1% që ishte një muaj më parë. Kjo përmbysje e projeksioneve vjen si pasojë e tensioneve tregtare dhe parashikimeve më të dobëta për investime.
Të dhënat sipas ekspertëve janë alarmante, e madje disa flasin edhe për rrezikun e një recesioni. Deri në vitin 2021, Italia projektohet të ketë një rritje ekonomike në diçka më shumë se 1%, sipas vetë Bankës së Italisë. Gjatë gjysmës së dytë të vitit të kaluar, aktiviteti ekonomik në vend është ngadalësuar ndjeshëm, gjë që do të vazhdojë edhe përgjatë muajve të parë të këtij viti.
Me shumë gjasa, ekonomia ka vijuar të tkurret gjatë tremujorit të fundit të vitit, pas një rënie me 0.1% në tremujorin e tretë, duke u futur në një fazë që njihet ndryshe si recesion teknik, me dy tremujorë me radhë në kontraktim. Të dhënat zyrtare do të dalin më 31 Janar.
Këto të dhëna vijnë gjithashtu në një kohë aspak të mirë për ekonominë globale, me tre ekonomitë më të mëdha europiane, Gjermaninë në krye, me të dhëna aspak inkurajuese, por edhe me Shtetet e Bashkuara në vështirësi serioze. Fjala recesion është përdorur madje edhe për Gjermaninë.
Këto pasiguri dëmtojnë edhe më shumë ekonominë e brishtë të Italisë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.