Italia nis shpërndarjen e pilulës antivirale Merck që nga data 4 janar!
Nga 4 janari nis shpërndarja në Itali e molnupiravir, antiviralit kundër Covid-19 i zhvilluar nga kompania farmaceutike Merck. Këtë e bëri të ditur Agjencia Italiane e Mjekësisë (Aifa), e cila njoftoi se komisioni i saj teknik shkencor (Cts) në seancën e datës 22 dhjetor autorizoi dy antivirale – molnupiravir dhe remdesivir – për trajtimin e pacientëve pozitivë Covid-19, të cilët nuk kanë përfunduar në spital dhe së fundmi kanë zhvilluar një formë të lehtë ose të moderuar të sëmundjes dhe kanë “kushte mjekësore shoqëruese që përfaqësojnë faktorë rreziku specifik për zhvillimin” e një forme të rëndë të Covid-19.
Molnupiravir do të shpërndahet nga struktura e komisionerit të jashtëzakonshëm për urgjencën Covid-19, Francesco Paolo Figliuolo, në rajone nga 4 janari dhe për përshkrimin e tij parashikohet përdorimi i një regjistri monitorimi i cili së shpejti do të jetë i aksesueshëm online në faqen e internetit të Agjencisë.
Krahasuar me të dhënat fillestare të komunikuara nga Merck, por që nuk iu nënshtruan rishikimit nga kolegët, të cilat ishin shumë, shumë pozitive (molnupiravir u administrua te njerëzit në rrezik (të moshuar, obezë, etj.) të prekur nga Covid-19 në formë të butë ose të moderuar më pak se 5 ditët nga fillimi i simptomave dukej se reduktonin rrezikun e shtrimeve në spital dhe vdekjes me 50%), pas një kohe të shkurtër doli se në thelb nuk kishte dallime në shkallën e shtrimit në spital dhe vdekjen në krahasim me terapinë me placebo.
Pse kjo mospërputhje? Nuk ka siguri. Disa ekspertë parashtrojnë hipotezën se molnupiravir nuk ka të njëjtin efikasitet në të gjitha variantet e koronavirusit dhe se rritja e rasteve për shkak të Deltës ka rrafshuar efektet e antiviralit. Por është gjithashtu e mundur që të ketë pasur dallime të rëndësishme midis grupeve të pacientëve të përfshirë (ndoshta në nivelin e kujdesit shëndetësor).
Efektiviteti i molnupiravirit, për momentin, llogaritet në 30%. Jo mahnitëse, por gjithsesi për t’u peshuar në lidhje me rreziqet që lidhen me administrimin e medikamentit dhe urgjencën shëndetësore, veçanërisht përballë rritjes së rasteve që lidhen me variantin Omikron që po vërehet në shumë vende.
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.