“Italia nuk do të devijojë” – Di Maio: Edhe Gjermania ka ulur projeksionet ekonomike!
Zv/Kryeministri italian, Luigi Di Maio, tha se vendi i tij nuk do të ndryshojë kursin e ekonomisë, pavarësisht shqetësimeve mbi borxhin e madh.
Qeveria populiste uli javën e kaluar projeksionet ekonomike në 0.2% për 2019-ën, nga 1% që priste më parë. Qeveria rriti gjithashtu projeksionet për deficitin buxhetor në 2.4%, duke thyer premtimin e dhënë ndaj Komisionit Europian.
Vendi projektoi gjithashtu një nivel të ri rekord të borxhit publik prej 132.6% të PBB. Pas lajmërimit, Komisioneri për çështjet ekonomike, Pierre Moscovici, tha se mund të dalin probleme të reja nga Italia. Di Maio, tha se ka ende besim në planin e Qeverisë së tij për të refuzuar masat shtrënguese që preferojnë politikanët në Bruksel. Ai tha se përpjekja e Italisë për të rimëkëmbur ekonominë duhet të marrë në konsideratë luftën tregtare mes Kinës dhe SHBA si dhe daljen e Britanisë nga Bashkimi Europian.
“Kur projektuan një rritje me 1%, Gjermania priste 1.9%. Tashmë Gjermania po lufton për një rritje ekonomike me 0.5%, kështu që objektivat tonë janë pozitive në krahasim me vendet anëtare” -tha Di Maio. Zv/Kryeministri tha se pavarësisht humbjeve në vlerë tregu të bankave italiane, trazirat në tregjet kanë kaluar dhe nuk ka më rrezik për huadhënësit italianë.
“Ne jemi vend kursimtarësh, kemi shumë kursime private, kështu që në përgjithësi, nuk shoh ndonjë rrezik për bankat italiane” -tha ai. Për të arritur objektivat fiskalë në vitin 2020 dhe 2021, qeveria italiane ra dakord me Komisionin që të rrisë tatimin mbi vlerën e shtuar apo të gjejë mënyra të tjera për gjenerimin e parasë. Di Maio tha se Qeveria italiane nuk do të rrisë TVSH për të gjeneruar 23 miliardë euro në vitin 2020 dhe në të njëjtën kohë, do të sjellë reduktime tatimore me vlerën e 12 miliardë eurove.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.