“Italia nuk kërcënon Europën”/Moscovici: Vend themelues i BE. Nuk po krijohet kriza e radhës
Komisioneri europian për çështjet ekonomike, Pierre Moscovici, tha se nuk sheh ndonjë shenjë për përhapje të krizës, nga problemet ekonomike dhe politike të Italisë. Komisioni Europian i ktheu mbrapsht planin e buxhetit të vitit 2019 qeverisë italiane më herët gjatë javës, për shkak se thyente rregullat e Bashkimit Europian për shpenzimet.
Moscovici shtoi se nuk sheh krijimin e një tjetër krize nga Italia. “Nuk ka kuptim që Italia, një vend themelues i Bashkimit Europian, pasi mbi të gjitha, traktati është firmosur në Romë, të dalë nga Europa dhe Eurozona. Dialogu po vazhdon me dy liderët e koalicionit, Matteo Salvini dhe Luigi di Maio. Në këtë fazë, nuk ka shqetësime të përhapjes së një krize dhe ne do të bëjmë gjithçka që ta shmangin këtë skenar”.
Moscovoci shtoi se po zhvillon dialog konstruktiv për situatën e Italisë dhe se ekonomia e të gjithë Europës nuk ndodhet në krizë. Paralelisht, Ministri italian i Ekonomisë, Giovanni Tria, u përpoq të qetësojë investitorët duke thënë se buxheti i vitit 2019, nuk përbën një kërcënim për partnerët europian.
“Italia nuk synon të kërcënojë Eurozonën apo stabilitetin e partnerëve europian. Nëse Italia rritet, kjo mund të përkthehet në stabilitet për të gjithë Europën. Nga perspektiva italiane, kjo nuk shkel traktatet dhe nuk nënkupton largimin nga Europa”.
Komisioni Europian i ka dhënë Romës 3 javë kohë për të paraqitur një buxhet tjetër, përndryshe do të përballet me masa disiplinuese. Shqetësimi për konfliktin mes Brukselit dhe Italisë, ka bërë që investitorët të shesin zotërimet në tituj kapitali dhe të borxhit në Itali.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.