Italia “pushton” agroushqimin – Kryeson listën e shteteve që furnizojnë tregun shqiptar
Italia është furnizuesja kryesore e tregut shqiptar agroushqimor, duke kryesuar listën e vendeve nga të cilat importojmë. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, gjatë vitit 2017 nga shteti fqinj janë importuar produkte bujqësore, blegtorale dhe agroindustriale në vlerën e 18.5 miliardë lekëve.
Shifër kjo që ka ardhur në rritje krahasuar me vitin 2016, ku ka qenë 17.7 miliardë lekë. Duket se tregu shqiptar është mjaft tërheqës për vendin fqinj në këtë sektor.
Nga Italia vendi ynë importon mbi 200 produkte, duke nisur që nga ato me orgjinë shtazore, perime dhe fruta, te freskëta dhe të thara, kafe, çarja, drithëra të ndryshme si elb, thekër, oriz, misër tërshërë, rrush, miell, fara dhe bimë të ndryshme, lëngje dhe vajra të ndryshme, sheqer, çokollata, ujëra, verë, birra, pije të fermentuara, plehra me orgjinë bimore apo shtazore si dhe plehra kimikë, lëkurë kafshësh, pambuk etj.
Në sasi mallrash, gjatë 2017-ës janë importuar 115 mijë ton mallra nga 119 mijë që janë importuar në vitin paraardhës.
Ndërsa në vendin e dytë sa i përket importeve renditet Greqia me 14.4 miliardë lekë gjatë vitit që kaloi. Importet në total gjatë vitit 2017 janë regjistruar në vlerën e 112.7 miliardë lekëve nga 107.2 miliardë lekë që kanë qenë një vit më parë.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.