Italia rritet mbi pritshmëritë në 0.9%, qeveria reagon me eufori
,Në vitin 2016, Prodhimi i Brendshëm Bruto në Itali u rrit me 0.9% në krahasim me vitin 2015, tregon zyra e statistikave në vend. Por, shifra e saktë, duke llogaritur edhe efektin kalendarik, pasi në 2016 ka pasur dy ditë pune më pak se në 2015, ngjitet në 1%.
Këto të dhëna rezultojnë mbi pritshmëritë e qeverisë, që në rishikimin e fundit të projeksioneve vlerësonte një rritje në 0.8%. Në vitin 2015, ekonomia italiane rritej me 0.7%. Kjo është rritja më e madhe vjetore që prej vitit 2010, pavarësisht se gjatë vitit projeksionet u rishikuan vazhdimisht.
Në fillim-vit, qeveria projektonte një rritje ekonomike mbi 1.2%. Gjithsesi, sipas zyrës së statistikave, të dhëna më të sakta do të publikohen më 1 Mars. Një normë rritje mbi projeksionet e kishte profetizuar vetëm një ditë më parë, ish-kryeministri Matteo Renzi.
Sa i përket vitit aktual, qeveria në buxhetin e këtij viti, projekton një rritje ekonomike ne 1%, ndërkohë që në projeksionet e fundit, Komisioni Europian flet për një rritje në 0.9%. Edhe ky i fundit ka rishikuar shifrat e 2016-ës, në 0.9%, nga 0.7% rritje. Në të njëjtën linjë është edhe Banka Qendrore e Italisë. Ministri i ekonomisë, Pier Carlo Padoan theksoi pas publikimit të të dhënave, se shifrat i japin të drejtë politikës ekonomike të ndjekur.
Roel Korkuti/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.