Izraeli, një provë e vaksinës së Pfizer. Rreziku i sëmundjes bie me 95.8% me 2 doza, vdekshmëria me 98.9%
Rreziku i sëmundjes nga koronavirusi ra me 95.8% tek njerëzit që morrën të dy dozat e vaksinës së Pfizer, sipas një deklarate të ministrisë së Shëndetësisë në Izrael. Vaksina ishte gjithashtu 98% efektive në parandalimin e temperaturës apo problemeve me frymëmarrjen dhe 98.9% efektive në parandalimin e shtrimeve në spitale dhe vdekjes, sipas ministrisë. Zbulimet u bazuan në të dhëna të mbledhura në të gjithë vendin deri më 13 Shkurt, nga izraelitë që kishin marrë dozën e dytë të vaksinës, të paktën përpara 2 javëve. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Izrael, rreth 1.7 milionë njerëz kishin marrë dozën e dytë deri më 30 Janar, ç’ka i bënte të përshtatshëm për studimin.
Fushata ambicioze e vaksinimit në Izrael, e ka kthyer vendin në provën më të madhe në botë të vaksinës së Pfizer dhe Kryeministri Benjamin Netanyahu tha në fundjavë se pret që 95% e izraelitëve nga 50 vjeç e sipër të vaksinohen në 2 javët e ardhshme. Raportet e mëparshme nga ofrues individual të të dhënave mbi shëndetësinë treguan gjithashtu rezultate pozitive, duke bërë që izraeli të nisë rihapjen e një pjese të ekonomisë. Shkollat dhe disa dyqane janë rihapur në Irzael në fundjavë. Ministria e Shëndetësisë ka prezantuar gjithashtu një aplikacion të quajtur “Green Pass”, që lidhet me të dhënat personale mjekësore, të cilën njerëzit e vaksinuar plotësisht, apo që kanë imunitet nga Covid-19, të mund ta tregojnë në hotele, apo evente kulturore dhe sportive.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.