Ja cilat janë disa mënyra, sesi mund të jeni një udhëheqës më i mirë
Komediani , Volodimir Zelensky, i cili u zgjodh presidenti i ri i Ukrainës, solli dhe njëherë në vëmendje faktin se drejtuesit që kanë aftësinë për të bërë punëtorët e tyre të qeshin dhe të ndjehen mirë, janë më të suksesshëm. Sipas një studimi, shumë nga liderët e anketuar, raportuan se duke treguar një shaka apo një anekdotë qesharake ishte e rëndësishme, që punëtorët të ndjeheshin në formë dhe të motivuar, duke qenë akoma dhe më shumë produktiv në punë. Më poshtë, ju rendisim disa mënyra sesi udhëheqësit mund të bëjnë humor gjatë punës, pa e tepruar!
Së pari, liderët e mirë duan një ekip të unifikuar pas tyre. Përdorimi i humorit ka treguar se forcon solidaritetin ndërmjet kolegëve dhe liderëve të suksesshëm.
Së dyti, humori ndikon në shmangien e lodhjes. E qeshura nuk mund të jetë gjithmonë zgjidhja më e mirë, por nëse udhëheqësit dëshirojnë të motivojnë punonjësit e tyre, atëherë në këtë rast humori është zgjidhja perfekte. Përdorimi i humorit lehtëson mërzinë dhe rrit nivelet e energjisë.
Së treti, humori ndikon dhe në zbutjen e kritikave. Shpesh, udhëheqësit duhet të bëjnë kritika përsa i përket performancës së gjithësecilit në punë. Një mënyrë e lehtë dhe e efektshme për të menaxhuar këtë është t’i japë kritikat në një mënyrë sa më të ‘butë’, nëpërmjet humorit.
Së katërti, nuk mund të lëmë pa përmendur faktin se, udhëheqësit varen nga eprorët e tyre duke i respektuar ata. Eshtë më e lehtë të punosh me ekipin nëse ata sillen me edukatë dhe mirësjellje, sesa duke bërë rolin e ‘diktatorit’. Përdorimi i humorit është një mënyrë e shkëlqyeshme për të pozicionuar veten si udhëheqës, i një grupi pa i kujtuar gjatë gjithë kohës ekipit se ju jeni lideri, dhe nuk kanë zgjidhje tjetër veçse t’ju ndjekin.
Edhe nën drejtimin e udhëheqësve më të mirë, gabimet ndodhin dhe herë pas here tensionet do të jenë të pranishme. Në këtë situatë, si një udhëheqës ju keni dy zgjedhje. Ose do të gjeni fajtorin për këtë gjendje dhe do ta ndëshkoni, ose do të bëni një shaka duke shpërndarë tensionin që është krijuar. Përdorimi i humorit në raste të tilla zbut mosmarrëveshjet dhe rivendos stabilitetin në punë.
Së fundmi, mund të themi se udhëheqësit mund të përfitojnë vërtet nga të qenit popullor. Studimet kanë treguar që humori, jo vetëm mund të inkurajojë punonjësit të mendojnë pozitivisht për të, por gjithashtu mund të ‘’shtypin’’ ndjenjat negative që mund të kenë ndaj udhëheqësit të tyre.
Fizikisht dhe mendërisht, humori është e kundërta e stresit. E qeshura ul presionin e gjakut dhe rrit qarkullimin e tij duke ulur tensionin dhe dhimbjen e muskujve dhe rrit sistemin imunitar.
Elefteria Zguri/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.