Japonia, “epiqendra” e Bitcoin – I zë vendin Kinës, autoritetet njohin zyrtarisht 11 firma të këmbimit
Japonia po kthehet në vendin më mbështetës të Bitcoin, ndërkohë që Kina po ashpërsohet gjithnjë e më shumë kundër valutave dixhitale.
Agjencia e Shërbimeve Financiare e Japonisë (FSA), njohu zyrtarisht 11 kompani si operatorë të regjistruar të këmbimit të këtyre valutave. Regjistrimi cakton disa kërkesa për kompanitë, si ndërtimin e një sistemi të fortë kompjuterik dhe kontrollin e identitetit të përdoruesve për të parandaluar pastrimin e parasë.
Këto rregullore synojnë të mbrojnë investitorët nga mashtrimi dhe abuzime të tjera, ndërkohë që mbështesin inovacionin e teknologjisë financiare (Fintech).
Kreu ekzekutiv i kompanisë bitFlyer, që ka më shumë se 800 mijë përdorues dhe është një nga firmat e regjistruara, tha se rregullat e reja e kthejnë Japoninë në epiqendrën e bitcoin.
Sipas analistëve, Japonia ka patur kërkesë gjigante si për tregtimin e bitcoin edhe për shërbimet në valuta dixhitale. Pranimi nga Japonia si metodë pagese në muajin Prill, ka qenë nxitësi kryesor i këtij viti për Bitcoin, që thuajse preku vlerën e 5,000 dollarëve.
Qëndrimi i ekonomisë së tretë më të madhe në botë bën kontrast me Kinën, ku rregullatorët po gjurmojnë tregun. Në fillim të Shtatorit, rregullatorët ndaluan ofertat fillestare të valutave, ku kompanitë gjenerojnë fonde duke shitur valuta të reja dixhitale.
Shumë pika të këmbimit të bitcoin lajmëruan më vonë se do të përfundojnë tregtinë deri në fund të muajit. Ky lajm nga Kina, bëri që çmimi i valutës dixhitale të bjerë nga rreth 5,000 dollarë në 2,951 në mes të Shtatorit.
Mes viteve 2013-2017, tregu kinez përbënte për rreth 90% të volumit të tregtisë në bitcoin. Tashmë ky volum po bëhet gjithnjë e më i shpërndarë, me tregtinë në dollar amerikan dhe jen japonez që po kalojnë atë me juanin kinez, tregojnë të dhënat e CoinDesk.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.