Java mbyllet në rritje, Dollari dhe Rusia nxisin çmimet e naftës
Çmimet e naftës janë regjistruar në rritje edhe gjatë sesionit të fundit të javës. Kjo vjen si pasojë e të dhënave që raporton OPEC dhe kryesisht Rusia, por edhe si pasojë e performancës së dollarit amerikan.
Në çelje të sesionit të sotëm, nafta Brent e Londrës kuotohej pranë nivelit të 55.29 dollarëve për fuçi, ndërsa ajo bruto amerikane pranë 52.77 dollarëve për fuçi. Gjatë së enjtes dollari amerikan surprizoi tregjet, duke prekur nivele të reja maksimale, dhe diçka e tillë duket se ka nxitur edhe tregun global të naftës.
Prodhimi i naftës gjatë shkurtit në Rusi u regjistrua në nivele të pandryshuara në krahasim me Janarin, në 11.11 milionë fuçi, çka do të thotë se Rusia po i qëndron besnike marrëveshjes me OPEC, për të shkurtuar 300 mijë fuçi në ditë gjatë gjysmës së parë të vitit, deri më tani ka arritur në 100 mijë fuçi.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.