Java në tregje -“Brexit”, Macron dhe “FED” në fokus
Gjatë javës së ardhshme, tre do të jenë pikat kryesore ku do të fiksohen tregjet; fronti i bashkuar europian ndaj Brexit, Emmanuel Macron dhe Rezerva Federale.
Për të parën herë, Bashkimi Europian dhe liderët e unionit po tregojnë se kundër Mbretërisë janë të gjithë të bashkuar dhe se do të krijohet një front.
Ky front do të shërbejë edhe për të nxitur një rimëkëmbje më të fortë ekonomike të rajonit si dhe për të shmangur një termet nga zgjedhjet në Francë.
Emmanuel Macron vijon të shihet si pretendenti kryesor për tu zgjedhur presidenti i ardhshëm i Francës. Këtë gjë e tregojnë sondazhet dhe e besojnë tregjet.
Por ka vend për frikë, pasi që prej raundit të parë, Le Pen ka fituar ndjeshëm terren në sondazhe, duke rritur peshën e saj në elektorat.
Tregjet dhe investitorët kanë vendosur të gjitha bastet mbi një hipoptezë; se Macron do të fitojë. Java e ardhshme do të ketë në fokus pikërisht zgjedhjet në Francë.
Në mesjavë do të publikohen edhe shifrat e rritjes ekonomike në Eurozonë dhe Bashkimin Europian për tremujorin e parë.
Nga ana tjetër, Rezerva Federale do të zhvillojë takimin e bordit të politikave monetare në mesjavë.
Por tregjet nuk presin asnjë surprizë. Gjatë javës do të dalin të dhëna me interes për tregjet dhe nga Kina dhe Australia.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.