“Jeta normale mund të rikthehet në 2023” / Shkencëtari francez, thirrje njerëzve të mos shkojnë në klubet e natës
Rikthimi i jetës normale pas emergjencës së krijuar nga shpërthimi i Covid-19, nuk do të ndodhë deri në fund të vitit 2022 apo mbase edhe në 2023. Paralajmërimi vjen nga profesori Jean-Francois Delfraissy, i cili këshillon qeverinë franceze në lidhje me pandeminë. “Virusi mund të dobësohet dhe ne do të jemi në gjendje ta trajtojmë atë, sepse në vendet e pasura, do të kemi popullata të vaksinuara deri në masën 90%. Por, në anën tjetër, vendet e varfëra do të kenë vaksinuar shumë pak njerëz. Kjo është ajo që do të vihet në rrezik pas dy vitesh. Si do të bashkëjetojnë dy botët; vendet e vaksinuara dhe vendet e pavaksinuara”, u shpreh Delfraissy. Ai u shpreh për Televizionin BFM se Franca mund të regjistrojë deri në 50,000 infektime të reja ditore me Covid-19 në fillim të gushtit dhe i bëri thirrje njerëzve të mos frekuentojnë klubet e natës, pavarësisht se janë rihapur. “Vende të ndryshme europiane me nivele të larta vaksinimi, sapo na treguan se rritja e infektimeve ka nisur te klubet e natës. E di që duke thënë këtë do të shkaktoj reagime, por ky është realiteti, është një fakt mjekësor dhe shkencor”, deklaroi Delfraissy. Ai kishte deklaruar më herët se vala e katërt e infeksioneve me koronavirus do të godasë spitalet franceze në gjysmën e dytë të gushtit. Variant Delta po bëhet dominant edhe në Francë dhe autoritetet raportuan 21,909 raste të reja me Covid-19 në vend, gjatë 24 orëve të fundit.
Lidion Kulla – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.