J&J do të hedhë miliona doza të vaksinës – FDA: Të eliminohen dozat që kanë lidhje me fabrikën në Baltimore
Administrata e Ushqimeve dhe Barnave në Shtetet e Bashkaura të Amerikës deklaroi se kompania Johnson & Johnson duhet të eliminojë miliona doza të vaksinave kundër Covid-19 që ishin prodhuar me probleme në një fabrikë në Baltimore. Dy burime të afërta me situatën deklaruan për Reuters se kompania kishte spastruar rreth 10 milionë doza, ndërsa Neë York Times raportoi se janë eliminuar rreth 60 milionë doza.
Pa konfirmuar numrin e dozave të vaksinës, FDA-ja tha në një njoftim për mediat se kishte autorizuar për përdorim dy linja të vaksinës, ndërsa disa linja të tjera të prodhimit nuk ishin të përshtatshme për përdorim. Agjencia shtoi se nuk ishte ende gati për të autorizuar fabrikën “Emergent BioSolutions” për prodhimin e vaksinave të J&J. Shqetësimet mbi sigurinë e vaksinës së J&J kanë ngadalësuar procesin e shpërndarjes, ndërkohë që rreth gjysma e 21 milionë dozave të prodhuara për Shtetet e Bashkuara janë ende të papërdorura.
Gjithsesi, FDA tha se vendimi lejon që dozat e tjera të vaksinës së J&J të përdoren në SHBA apo të eksportohen. Gjithashtu, edhe autoritet në Europë njoftuan se vaksinat e J&J të prodhuara për rajonin gjatë kohës kur problemet me ndotjen u zbuluan në SHBA, nuk do të përdoren.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.