J&J përdor të njëjtën teknologji si vaksina AstraZeneca – Por raportimet e mpiksjes së gjakut po vonojnë shpërndarjen e dozave në BE
Johnson & Johnson do të vonojë shpërndarjen e vaksinës së saj të koronavirusit në Europë pas raportimeve që gjashtë gra në SHBA zhvilluan mpiksjen e gjakut pas vaksinimit. Kjo vjen pasi zyrtarët shëndetësorë amerikanë rekomanduan ndërprerjen e përdorimit të vaksinës Johnson & Johnson nga rastet e sipër përmendura.
SHBA ka administruar më shumë se 6.8 milion doza të vaksinës por zyrtarët po hetojnë gjashtë raporte të një “lloji të rrallë dhe të rëndë të mpiksjes së gjakut në individë pas marrjes së vaksinës”, Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) e vendit, e cila rregullon ilaçet, dhe Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) thanë në një deklaratë të përbashkët.
Gjashtë gra midis moshës 18 dhe 48 vjeç zhvilluan mpiksje gjaku, përfshirë tre gra që zhvilluan mpiksje në sinuset që kullojnë gjakun nga truri. Në secilën prej rasteve, “simptomat ndodhën 6 deri në 13 ditë pas vaksinimit”, thanë FDA dhe CDC.
Pauza e rekomanduar në vaksinim është pjesërisht për të “siguruar që komuniteti i ofruesve të kujdesit shëndetësor është i vetëdijshëm për potencialin për këto ngjarje anësore dhe mund të planifikojë për njohjen dhe menaxhimin e duhur për shkak të trajtimit unik të kërkuar me këtë lloj mpiksje gjaku”, shtuan ata .
Zyrtarët thanë se njerëzit që marrin vaksinën të cilët “përjetojnë dhimbje të forta koke, dhimbje barku, dhimbje në këmbë ose gulçim brenda tre javësh pas vaksinimit duhet të kontaktojnë ofruesin e tyre të kujdesit shëndetësor”.
Kjo vjen pasi Agjencia Europiane e Barnave (EMA) tha se ata ishin duke rishikuar raportet e mpiksjes së gjakut pas vaksinimit me vaksinën Johnson & Johnson. Në atë kohë, ata thanë se kishte katër raste të raportuara të mpiksjes, duke përfshirë një që ishte vdekjeprurës.
Vaksina Johnson & Johnson është aprovuar për përdorim në Bashkimin Europian por nuk është hedhur ende në bllok. Komisioni Europian tha se është në kontakt me Johnson & Johnson për të ndjekur situatën. Vaksina e Janssen përdor një teknologji të ngjashme me vaksinën AstraZeneca e cila gjithashtu ishte pezulluar në disa vende europiane pas mpiksjeve të rralla, por serioze të gjakut të raportuara.
Vende të shumta europiane kanë rekomanduar që të rinjtë të marrin një vaksinë të ndryshme pasi EMA tha më parë në muaj se ekzistonte një “lidhje e mundshme” midis mpiksjeve të gjakut dhe dozave AstraZeneca.
EMA theksoi se përfitimet e vaksinës, e cila provohet se zvogëlon shtrimin në spital dhe vdekjen, tejkalojnë çdo rrezik të rrallë. Vaksina me dozë të vetme Johnson & Johnson është një pjesë thelbësore e fushatës së vaksinimit në SHBA, me shumë shtete që kanë hapur tashmë takime për vaksinat për të rriturit mbi 16 vjeç. (EN)
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.