Jo më me ‘fjalë të ëmbla’ për vaksinën! Biden: Kompanitë me mbi 100 punonjës, vaksinim ose test të përjavshëm
Presidenti amerikan Joe Biden ka njoftuar masa të reja kundër Covid që parashikojnë detyrimin që punonjësit e kompanive të mëdha të vaksinohen ose të bëjnë teste javore.
Masat parashikojnë gjithashtu edhe ofrimin e mundësisë së vaksinimit për miliona nëpunës të qeverisë federale në një kohë që rastet në vend po rriten ndjeshëm. Spitalet në shumë shtet kanë arritur kapacitetet maksimale.
Urdhëri i Biden do të prekë së paku 100 milionë amerikanë. “Kjo nuk ka të bëjë me lirinë apo me zgjedhjen personale por me mbrojtjen e vetes dhe të atyre përreth jush” deklaroi Biden.
Më shumë se 650 mijë amerikanë kanë humbur jetën nga Covid-19 që prej vitit të kaluar. Biden e njoftoi planin e tij nga Shtëpia e Bardhë. Ai deklaroi se Departamenti amerikan i Punës do t’u kërkojë bizneseve private me më shumë se 100 punonjës që të bëjnë vaksinimet e punëtorëve ose të kërkojnë teste koronavirusi nga ata së paku një herë në javë.
Po ashtu, edhe 17 milionë punonjës të shëndetësisë do të duhet të plotësojnë të njëjtat kushte.
“Koha për fjalët e ëmbla për të marrë vaksinën ka mbaruar” shkruan BBC ndërsa raporton lajmin.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.