“Jo më ushqim të pakontrolluar pas kangjellave në shkolla”, Panariti: Çfarë ofrohet me programin e ri
Ministri Panariti mori pjesë në takimin për “Programin e Ushqimit të Fëmijëve në Shkolla” i organizuar nga Ministria e Bujqësisë, Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe FAO.
Gjatë fjalës së tij, ministri Panariti theksoi se “Ne nuk mund të lejojmë që brezi i ri të jetë i ekspozuar ndaj një ushqimi sporadik dhe ofertave spontane që bëhen pas kangjellave të shkollave. Nuk mund të lejojmë ofrimin e ushqimit nga burime jo të certifikuara, dhe jo të balancuara nga pikëpamja e vlerave ushqimore”. Po kështu kreu i Ministrisë së Bujqësisë theksoi se mirëushqimi është me rëndësi për brezin e ri. “Një brez që është në rritje ka ndikim ndaj këtyre faktorëve, prandaj mirëushqimi është me rëndësi. Ne këtë problem e kemi në qendër të vëmendjes dhe është në qendër të politikave të zhvillimit si nga qeveria ashtu edhe nga partnerët ndërkombëtare. Ushqimi në sistemin shkollor dhe parashkollor do të jetë i kontrolluar dhe i mirëbalancuar. Kjo për një rritje të mirë të brezit të ri” tha Panariti.
Ndërkohë më tej shtoi se ky proces nuk do t’i lihet spontanitetit, por është një proces që do bëhet në mënyrë të organizuar.
“Nuk do ia lëmë këtë çështje spontanitetit, do ta bëjmë në mënyrë të organizuar, në mënyrë që ofertat të administrohen në mënyrë të mençur dhe të balancuar. Ushqimi do të jetë pjesë e një programi nga mënyra se si do të përgatitet. Do të hiqet dorë nga ofertat me ëmbëltues sintetikë dhe do të kërkojmë oferta serioze për një ushqim të shëndetshëm dhe të balancuar. Ky është një program i rëndësishëm për fëmijët në shkolla dhe do të japë shumë rezultate” u shpreh ministri Panariti.
Nga ana tjetër zv.ministrja e Arsimit Nora Malaj e cilësoi takimin si shumë të rëndësishëm, pasi sipas saj duhet krijuar një standard i ri në arsimin e detyrueshëm sa i takon ushqimit. “Kjo është një nga sfidat dhe një prioritetet e mëdha” theksoi Malaj në këtë takim.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.