“Jo PPP pa kritere”, BB: Duhen analiza të kujdesshme kosto-përfitime
Projektet madhore të partneritetit publik – privat duhet të ndërmerren në kuadër të një planifikimi strategjik dhe të mbështeten në analiza të kujdesshme të kostove dhe përfitimeve.
Të pyetur nga TV Scan, përfaqësuesit e Bankës Botërore në Shqipëri u shprehën se PPP-të mund të jenë instrumente efikase për të përmirësuar infrastrukturën dhe shërbimeve, por lanë të kuptohet se ato nuk duhet të përdoren pa kriter dhe pa marrë në konsideratë efektet afatgjata në buxhet.
“Diskutimi i PPP –ve është aktual kudo në botë, jo vetëm në Shqipëri. Kjo ndodh sepse nevojat për të përmirësuar infrastrukturën e vendeve janë më të mëdha se mundësitë investuese të qeverisë. Pyetja që shtrohet nëse PPP janë instrumenti i duhur, ato mund të jenë shumë efikase sepse mund të thithin kapitale në ekspertizën e sektorit privat për investimet publike, por ajo çka është e rëndësishme në thelb është nëse investimet e justifikojnë vlerën që do të paguhet për të. Jo çdo investim duhet bërë duke përdorur mekanizmin e PPP-ve, kur flasim për investime në infrastrukturë qeveria duhet të vlerësojë në kuadër të një strategjie gjithëpërfshirëse dhe të vendos disa prioritete lidhur me ato investime që janë më të domosdoshme. Një investim i mirë duhet të mbulojë kostot në të ardhmet dhe të ketë një logjikë ekonomike. Janë disa faktor që duhen pasur parasysh, si transparenca, llogaridhënia dhe ndikimet në buxhet, sepse në fund të fundit këto investime do të paguhen nga taksapaguesit”, deklaroi Maryam Salim, përfaqësuese e BB në Shqipëri.
Sipas Bankës Botërore, qeveria ka bërë hapa përpara për sa i takon transparencës, duke zbardhur listën e plotë të kontratave aktive dhe të atyre të planifikuara për t’u dhënë gjatë vitit të ardhshëm.
Banka Botërore nuk përjashton nevojën për vendosjen e një rregulli të posaçëm për PPP-të, por ndërkohë këshillon përmirësimin e mëtejshëm të transparencës me PPP-të, lidhur me raportimin dhe kontabilizimin e tyre në buxhet.
“Ne rekomandojmë që krahas publikimit të këtyre kontratave, ato të fillojnë të trajtohen në përputhje me standardet ndërkombëtare, në llogaritë fiskale, borxhin dhe çdo gjë që mund të jetë e lidhur”, u shpreh Hilda Shijaku, ekonomiste e BB.
Qeveria shqiptare ka bërë të ditur nisjen e një programi madhor për përmirësimin e infrastrukturës, përmes disa kontratave të partneritetit publik-privat që kalojnë vlerën e 1 miliard eurove.
Kjo krijon shqetësim për efektin afatgjatë të kësaj barre në buxhetin e shtetit, duke pasur parasysh edhe se borxhi publik sot vlerësohet në rreth 70% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.