“Jo më” sera për domate, fushat e Fierit dhe Lushnjës destinacion kryesor për parqet fotovoltaike
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka njoftuar të hënën se ka marrë 10 shprehje të reja interesi për ndërtimin e parqeve fotovoltaike në territorin e vendit.
Kërkesat e kompanive të ndryshme për ngritjen e këtyre impianteve kanë qenë të shumta gjatë gjithë verës pas miratimit të tarifave që do aplikojë qeveria. Çmimi prej 100 euro për MWh për blerjen e energjisë elektrike dhe skemat e ndryshme mbështetëse ka bërë që të shumtë të rendin pas burimeve të rinovueshme.
Ndonëse deri më tani, të gjitha kërkesat kanë ardhur për impiante diellore fotovoltaike dhe asnjë për impiant eolik.
Tashmë me ardhjen e propozimeve të reja, është bërë e qartë edhe se cilat janë zonat kryesore strategjike për të shfrytëzuar dritën e diellit.
Për zonat e Fierit dhe Lushnjes kanë ardhur edhe aplikimet më të shumta, 5 vetëm në njoftimin e fundit, por që i shtohen dhjetëra kërkesave të tjera që prej muajit Gusht. Krahas furnizimit të bollshëm me diell gjatë gjithë vitit, edhe relievi fushor është një faktor që ka bërë që Myzeqeja të spikatë në kërkesat e investitorëve privatë.
Në zonën e Darëzezës në Topojë të Fierit, kompania “SOLAR RENEWABLE ENERGY” kërkon të shfrytëzojë 3.6 hektarë tokë, për të instaluar një impiant me kapacitet 2MW. Vlera e investimit kap shifrën 1.7 milionë euro.
Edhe në Seman të Fierit, shoqëria “3AD Energy” kërkon të përdorë 2.34 hektarë për të ngritur një park fotovoltaik me kapacitet 1.75 MW. Investimi këtu kap vlerën e 2.3 milionë eurove.
Sakaq në zonën “Plug” të Lushnjes, një bashkim i përkohshëm i tre kompanive kërkon të investojë 3.9 milionë euro. Kjo joint venture ka kërkuar në MIE shfrytëzimin e një sipërfaqeje prej 10 hektarësh për të instaluar një impant me kapacitet 5MW.
Po në Lushnje, bashkimi i përkohshëm i shoqërive “FAVINA 1” Sh.P.K. dhe “ARTYKA 2” Sh.P.K, ka shprehur interesin për të ndërtuar një park fotovoltaik 2MW. Investimit në qark i shtohet kështu një vlerë shtesë prej 2 milionë eurosh.
Kompania “Favina” kërkon të investojë 2 milionë euro në Fier, për të ngritur në 8 hektarë një impiant prej 2 MW.
Sakaq, shoqëria “Favina 1” kërkon të përsërisë të njëjtin investim në zonën e Korcës. Në Korçë, një investim të ngjashëm kërkon ta bëjë edhe shoqëritë “HIDROCENTRALI QARR & KALTANJ”, si edhe “REJ” sh.p.k.
Në Pilur të Himarës, shoqëria “Max Energy” kërkon të shfrytëzojë 3 hektarë tokë për të instaluar një park fotovoltaik me kapacitet 2 MW. Ky investim do të kapë vlerën e rreth 1.92 milionë eurove.
Në Fshatin Rinia në Durrës, shoqëria “Solar – Expert” kërkon të shfrytëzojë 2.5 hektarë tokë për të ngritur një impiant 1.98 MW, me një vlerë investimi 2.7 milionë euro.
Shoqëria ‘Solarium’ kërkon të ndërtojë një park fotovoltaik 1.99 MW në Vorë, duke shfrytëzuar 2.53 hektarë tokë. Edhe këtu investimi kap vlerën e 2.7 milionë eurove.
Në total investimi për këtë bllok shprehjesh interesi të publikuar nga Ministria arrin në 23.2 milionë euro dhe do të shtojë kapacitetin e energjisë në vend me 22.7 MWh.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.