Joachim Nagel, zgjidhje kompromisi në krye të Bundesbank-ës!
Socialdemokrati Nagel do ta drejtojë Bundesbankën në një periudhë delikate të inflacionit të lartë. Ai njihet për qëndrime konservatore në politikën monetare.
Joachim Nagel, presidenti i ri i Bundesbankës, Bankës Qendrore gjermane është një president i vazhdimësisë së linjës së deritashme të Bundesbankës. Kjo linjë i jep rëndësi stabilitetit financiar dhe është kundër thellimit të inflacionit. Me 55 vjeçarin Nagel nuk pritet ndryshim rrënjësor në politikën e Bankës Qendrore gjermane.
Nageli vlerësohet si ekspert me njohuri të thella për funksionimin e Bundesbank-ës dhe të financave në Evropë. Karrierën e tij kryesore ai e ka bërë pikërisht në Bundesbank, ku punoi prej vitit 1999 deri në 2016. Më pas ai kaloi në Bankën Gjermane për Zhvillimin (KfW). Dhe së fundi, prej vitit 2020 ai punoi në Bankën për Shlyerjet Ndërkombëtare.
Si President i Bundesbankës, Joachim Nageli bëhet automatikisht edhe anëtar i Bankës Qendrore Evropiane në Frankfurt, bankës që mbikqyr Euron. Në bordin prej 19 përfaqësuesish të vendeve të Eurozonës, Nageli do të mbrojë pozicionin e Gjermanisë në politikën e Bankës Qendrore Europiane.
Emërimi i Nagelit në postin e presidentit të Bankës Qendrore të ekonomisë më të madhe të Evropës, ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare. Analistët e kategorizojnë Presidentin e ri për momentin në grupin e „skifterëve”, pra të atyre që mbrojnë një politikë të rreptë financiare në Eurozonë. Ka pak deklarata publike të Joachim Nagelit. Por tërheq vëmendjen një deklaratë e tij e vitit 2012, kur ai kritikoi blerjen masive të obligacioneve nga Banka Qendrore Europiane.
Ashtu si paraardhësi i tij në krye të Bundesbankës, Jens Weidmann, edhe Nageli pa këtu një tejkalim të kompetencave nga Banka Qendrore Evropiane, e cila sipas statutit duhet të kujdeset për stabilitetin e monedhës së Euros.
Me këtë rast Joachim Nageli tha se “ndarja e qartë e detyrave mes politikës fiskale dhe asaj monetare nuk duhet të lëkundet.” Kjo është tradita financiare gjermane, ndërsa tradita amerikane e quan artificiale ndarjen e politikës fiskale nga ajo monetare.
Me gjithë këtë, me Nagelin pritet një stil më i butë dhe më diplomatik në Europë. Me të konsiderohet e mundur një politikë më tolerante financiare, në mbështetje të investimeve për agjendën e gjelbër europiane. Analistët besojnë se ai mund të ketë sukses më të madh se paraardhësi në Bankën Qendrore Europiane, për të siguruar mbështetje më të mirë për argumentet e Gjermanisë.
Nageli i ka mbështetur që në krye të karrierës së tij socialdemokratët në politikën financiare. Në vitin 1995 ai punoi në Bonn si këshilltar për kryesinë e SPD-së. Ky fakt e bëri më të lehtë për kancelarin Olaf Scholz ta propozojë atë si kandidat kompromisi në Gjermani. DW
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.