Johnson bën ofertën e fundit – Marrëveshja e propozuar pritet ashpër nga Brukseli
Kryeministri britanik, Boris Johnson, bëri një ofertë përfundimtare për Brexit ndaj Bashkimit Europian, që u prit ashpër nga zyrtarët në Bruksel. Johnson i bëri thirrje Brukselit për kompromis dhe paralajmëroi se nëse nuk bie në dakordësi, britania do të dalë pa një marrëveshje më 31 Tetor.
Johnson bëri ndryshime të mëdha në çështjen e kufirit mes Irlandës së Veriut dhe Irlandës pjesë e Bashkimit Europian, duke propozuar një zonë rregullatore të të gjithë ishullit për të mbuluar mallrat, ç’ka zëvendësoi marrëveshjen e mëparshme.
Johnson propozoi t’i japë institucioneve të Irlandës së Veriut fuqinë për t’ju bindur rregullave apo të dalë nga zona rregullatore. Presidenti i Komisionit Europian, Jean- Claude Juncker, mirëpriti disa përparësi pozitive të propozimit të Johnson, si përputhjen rregullatore për të gjithë mallrat, por shtoi se ka disa probleme.
“Ka ende disa pika problematike që kërkojnë më shumë punë, kryesisht në lidhje me kufijtë e Irlandës. BE qëndron i bashkuar dhe i gatshëm për të arritur një marrëveshje, si kemi qenë këto 3 vite”, deklaroi Komisioni Europian.
Negociatori europian, Michel Barnier, tha se propozimet e reja shënojnë progres, por shtoi se duhet shumë punë që të arrihet një marrëveshje e re e Brexit. Barnier këmbënguli se marrëveshja e daljes së Britanisë duhet të përmbushë 3 kushte për çështjen e Irlandës: pa kufij, një ekonomi e plotë irlandeze dhe mbrojtja e tregut të përbashkët.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.