Johnson-Hunt, beteja finale – Kryeministri i ri britanik zgjidhet të martën, sfidë Brexit
Boris Johnson, i cili ka premtuar se do të nxjerrë Britaninë nga Bashkimi Europian më 31 tetor, është në betejën finale me Jeremy Hunt për tu bërë kryetar i Partisë Konservatore dhe kryeministri i ardhshëm i Britanisë. Johnson dhe Hunt gjenden në një betejë Brenda partisë për të zëvendësuar Theresa May, e cila dha dorëheqjen pas tre përpjekjesh të dështuara në Parlament për të miratuar marrëveshjen e Brexit të arritur me Bashkimin Europian.
Megjithatë, kushdo që do të marrë postin e kryeministrit, jo vetëm që do të ketë detyrë të nxjerrë Britaninë nga Bashkimi Europian deri më 31 tetor, por do të përballet edhe me disa sfida të tjera, ndër të cilat rritja e tensionit me Iranin dhe qëndrimet e paparashikueshme të presidentit amerikan, Donald Trump. Johnson, i cili kryeson garën për tu bërë kryeministër, njihet si një person që shpesh herë ka zhgënjyer, ndërsa karriera e tij është e shoqëruar edhe me gafa. Por, ai shprehet se është personi i duhur për të nxjerrë vendin nga Bashkimi Europian. Johnson ka thënë se marrëveshja që May ka arritur me Bashkimin Europian tashmë ka vdekur dhe nëse nuk arrin një marrëveshje tjetër deri në tetor me Bashkimin Europian, do të fillojë një dalje të çrregullt pa marrëveshje.
Ky skenar është makthi i shumë drejtuesve të bizneseve dhe ëndrra e atyre që mbështesin Brexit. Ndërsa Hunt, dikur një kundërshtar i largimit nga Bashkimi Europian, ka premtuar se do ta nxjerrë vendin nga unioni me një marrëveshje. Në anën tjetër, Bashkimi Europian ka përsëritur shpesh se nuk do të rinegociojë marrëveshjen. Kryeministri i ri britanik do të zgjidhet të martën, ndërsa punë do të fillojë të mërkurën.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.