Johnson, letër Tusk – Kërkon rihapjen e negociatave të Brexit
Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka kërkuar rihapjen e negociatave të Brexit, nëpërmjet një letre dërguar presidentit të Këshillit Europian, Donald Tusk. Johnson kërkon rishikimin e marrëveshjes së kufirit mes Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës.
Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, i ka dërguar një letër Presidentit të Këshillit Europian, Donald Tusk, ku propozon disa kushte mbi negociatat e reja të Brexit, duke kërkuar heqjen e të ashtuquajturës, “ndalesa irlandeze”.
Në letër, Johnson shprehet se marrëveshja e quajtur “backstop”, e krijuar për të shmangur kontrollet në kufirin mes Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës, minon sovranitetin e Britanisë dhe për këtë arsye duhet hequr.
Johnson propozon gjetjen e një marrëveshje për kufirin më fleksibël dhe kreative, për të zgjidhur problemet e mundshme në kufirin e Irlandës së Veriut. Sipas marrëveshjes së daljes të arritur mes ish-kryeministres, Theresa May dhe Bashkimit Europian çështja e kufirit do të shërbejë si një politikë siguruese për të pasur një kufi të hapur mes Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës, edhe në rast se Mbretëria e Bashkuar largohet nga unioni pa një marrëveshje.
Disa kritikë besojnë se kjo marrëveshje mund ta bllokojë Irlandën Veriore brenda Bashkimit Europian dhe mund të shkaktojë ndarjen nga Britania. Johnson ka premtuar se, deri më 31 tetor do ta nxjerrë Britaninë nga Bashkimi Europian, me ose pa marrëveshje, dhe kjo është tentativa e parë për të rihapur negociatat e Brexit, pasi u bë kryeministër në korrik.
Ndërkohë, si pjesë e fushatës për të rihapur negociatat, të mërkurën dhe të enjten, Johnson do të zhvillojë vizita zyrtare në Gjermani dhe Francë, ku do të takohet fillimisht me kancelaren Angela Merkel dhe më pas me presidentin e Francës, Emmanuel Macron. Për këtë arsye, kjo javë cilësohet si mjaft e rëndësishme mbi drejtimit që do të marrë çështja e Brexit.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.