Johnson: Punoni nga shtëpia! Kryeministri nis të mbyllë përsëri Britaninë, ndërkohë që rriten rastet
Kryeministri Boris Johnson, i tha popullit britanik që të punojë nga shtëpia kur të jetë e mundur dhe urdhëroi baret dhe restorantet që të mbyllen më herët, në përpjekje për të parandaluar përhapjen e shpejtë të valës së dytë të koronavirusit. Ndërkohë që shkencëtarët paralajmëruan se norma e vdekshmërisë mund të rritet pa veprime urgjente, Johnson tha se kufizimet e reja në Angli mund ta zgjasin për 6 muaj, pavarësisht se nuk vendosi një karantinë tjetër të plotë kombëtare.
“Më vjen keq që e them por ashtu si në Spanjë, Francë dhe shumë vende të tjera, ne kemi arritur në një pikë të rrezikshme”,- tha Johnson në parlament, pas takimeve emergjencë me ministrat dhe liderët e Mbretërisë së Bashkuar. Ndërkohë që pak javë kanë kaluar pasi Johnson i bëri thirrje njerëzve që të rikthehen në punë, ai këshilloi tashmë punëtorët në zyra që të qëndrojnë në shtëpi nëse munden. Johnson urdhëroi të gjithë baret dhe restorantet që të mbyllen në orën 10 të mbrëmjes nga dita e Enjte dhe do të lejohet vetëm shërbimi në tavolinë.
Maskat do të kërkohen në më shumë ambiente, bizneset që thyejnë rregullat do të gjobiten dhe njerëzit që nuk përputhen do të përballen me kufizime më të ashpra. Megjithatë, shkollat dhe universitetet do vazhdojnë të qëndrojnë të hapura. Këshilltarët e Qeverisë kanë thënë se numri i rasteve të reja mund të arrijë 50,000 në ditë deri në mes të Tetorit. Johnson tha se më shumë masa do të prezantohen nëse këto nuk funksionojnë.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.