Jorida Tabaku kritikon ligjin e fiskalizimit: “I nxituar dhe propagandistik, sjell rritje kostosh për bizneset”
Jorida Tabaku nga Partia Demokratike ka kritikuar nëpërmjet një statusi në rrjete sociale përshpejtimin e procedurave që u ndoqën nga Komisioni i Ekonomisë dhe Financave për miratimin ligjit të fiskalizimit dhe paketës fiskale për vitin 2020. “Ka nevojë për një vlerësim real të situatës së ndërtesave dhe jo spektakli që fsheh ligje të tilla” – u shpreh ajo.
Sipas Tabakut Shqipëria duhet të alokojë fonde nga buxheti dhe kontratat e PPP-ve për rindërtimin e banesave të prekura nga tërmeti.
Ish-deputetja kritikon gjithashtu ashpër ligjin për fiskalizimin, i cili sipas saj pritet të sjellë kosto më të larta për bizneset. Këto kosto do të reflektohen në çmime të rritura për qytetarët dhe do të rëndojë xhepat e qytetarëve sipas zonjës Tabaku.
Postimi i plotë
“Pa kaluar as java nga tragjedia e 51 jetëve të humbura, qeveria ka firmosur me votën e deputetëve të mazhorancës “fiskalizimin”. Pasi i dhuroi një kompanie kroate 16 mln euro koncesion të paracaktuar, kjo qeveri do t’i detyrojë bizneset e më pas qytetarët të paguajnë kosto shtesë për këtë program. Janë 132.400 lekë shtesë që do paguajnë bizneset që vitin e parë për këtë ligj të miratuar. Kjo kosto padyshim që do u shkojë qytetarëve në xhepa përmes çmimeve të rritura. Sipas një përllogaritje të saktë dhe të thjeshtë për një biznes i cili ka 6 punonjës në kasë do t’i duhet minimalisht 6 firma te tjera dixhitale shtese në vit për çdo vit duke e rritur koston vjetore te këtij biznesi me 43.800 lekë (rreth 400 euro) që do të thotë një kosto që do t’i shtohet totalit të kostove të paraqitura më lartë. As një javë nga tragjedia që zbuloi fytyrën e vërtetë të shtetit, qeveria vazhdon avazin e vjetër. Tenderon, koncesionon, kalon ligje me taksa të larta dhe në fund i vjedh ato. Pas lë vetëm videot e shëmtuara propagandistike. Shqipëria ka nevojë për të alokuar fonde nga buxheti dhe kontratat e hajdutërisë PPP në ndërtimin e vendit. Ka nevojë për një vlerësim real të situatës së ndërtesave dhe jo spektakli që fsheh ligje të tilla. ” shkruan Tabaku.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.