Jorida Tabaku për eurobondin: “Paratë e marra borxh do të shkojnë për projekte korruptive, që nuk kanë lidhje me interesin publik
Ish deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka reaguar ashpër ndaj prezantimit të kryeministrit Rama, se emetimi i eurobondit ishte një sukses dhe që vërtetoi besimin tek ekonomi shqiptare dhe ringritja e saj.
Sipas znj.Tabaku eurobondi i emetuar do të përdoret për interesat klienteliste të qeverisë, ndërkohë që nuk ka aspak lidhje me interesin publik, siç e reklamon qeveria sipas saj.
Ekonomia është në prag falimentimi shprehet ish-deputetja, ndërsa kryeministrin e ka cilësuar përgjegjësin për krizën e rëndë të saj.
“Nuk ka borxh të ri, amnisti fiskale për krimin apo kopje të shëmtuar programi që e shpëton nga largimi” shkruan Tabaku në fund të reagimit të saj.
Statusi i plotë:
“Edi Rama është një gënjeshtar i paskrupullt. Sa herë është në vështirësi bën 2 gjëra: gënjen edhe më shumë shqiptarët dhe sulmon personalisht këdo që u thotë shqiptarëve të vërtetën se ai është përgjegjësi për krizën e rëndë të ekonomisë.
650 milionë euro të tjera, të marra borxh, njësoj si borxhet e mëparshme të kësaj qeverie, do të shkojnë për projektet korruptive të Edi Ramës, që nuk kanë lidhje me interesin publik, por vetëm të 4-5 njerëzve.
Ekonomia sot është në prag falimenti, bizneset po mbyllen, njerëzit marrin ushqim me lista, por Edi Rama vazhdon të firmosë koncesione korruptive 2,2 miliardë euro.
650 milionë euro të tjera, të marra borxh, janë vetëm maja e ajsbergut. Një borxh ekstra për veset e vjetra të kryeministrit Rama, pa asnjë shqetësim për hallet e shqiptarëve.
Me batutat e tij banale, bajate dhe të vjetra si ai vetë, mund të qeshin ata 5 veta që marrin tendera e koncesione, por jo 3 milionë shqiptarë. Ata janë skllevër që ai i ngarkoi me 4.2 miliardë taksa të rritura, i detyroi të largohen dhe që sot po mbyllin masivisht bizneset.
Sot prej Edi Ramës 1 në 2 shqiptarë është më i varfër.
Sot prej Edi Ramës 1 në 2 shqiptarë është pa punë.
Sot prej Edi Ramës 1 në 2 shqiptarë kërkon të largohet.
Edi Rama, si kryeministri më i paaftë, më i dështuar dhe më i korruptuar i vendit, është fatura më e lartë që po paguajnë shqiptarët.
Nuk ka borxh të ri, amnisti fiskale për krimin apo kopje të shëmtuar programi që e shpëton nga largimi” tha Tabaku.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.