“Juani varet nga forcat e tregut”, Pekini zyrtar: Nuk kemi zhvlerësuar valutën për të nxitur eksportet
Kina deklaroi se vlera e valutës përcaktohet nga forcat e tregut dhe se nuk ka për qëllim që të zhvlerësojë juanin për të nxitur eksportet, pas lajmërimeve nga Washingtoni se po monitoron dobësinë e valutës në një kohë të përplasjeve tregtare.
Ministria e Jashtme në Kinë bëri gjithashtu të ditur se kërcënimet mbi tregtinë nuk do të funksionojnë kurrë me Kinën, duke i’u përgjigjur komenteve të Trump, për të vendosur tarifa në 500 miliardë dollarë mallra të importuara nga vendi.
Sekretari i Thesarit, Steven Mnuchin, tha se dobësia e juanit do të rishikohet në raportin që zhvillohet dy herë në vit nga departamenti, për manipulimin e valutave.
Zyrtarët kineze thanë se vlera e juanit është subjekt i forcave të kërkesës dhe ofertës dhe se performanca e mirë ekonomike ka dhënë mbështetje.
“Kina nuk ka qëllim që të përdorë mjete si zhvlerësimi i valutës, për të nxitur eksportet”, deklaroi Ministra e Jashtme e Kinës.
Juani kinez, i cenuar nga presionet tregtare dhe dollari i fortë, ka humbur rreth 7% të vlerës kundër valutës amerikane, që prej fillimit të tremujorit të dytë.
Rreth 505 miliardë dollarë mallra kinezë janë importuar nga SHBA në vitin 2017, duke sjellë një deficit tregtar prej rreth 376 miliardë dollarë, sipas të dhënave të qeverisë amerikane.
Importet kineze nga SHBA, arritën në një total prej 205 miliardë dollarë në 5 muajt e parë të 2018-ës, me deficitin që arriti në 152 miliardë dollarë.
Më herët gjatë muajit, Shtetet e Bashkuara vendosën tarifa në 34 miliardë dollarë mallra kineze, gjë që solli kundërpërgjigje për të njëjtën vlerë nga Kina.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.