Jugu “shpëton” nga përmbytjet. Vëmendja në Veri, reshje dëbore e shtrëngata
Pas tri ditësh reshje intensive, të cilat sollën edhe përmbytje, duket se Jugu i vendit do të shpëtojë më në fund. Të paktën këtë parashikon Instituti i Gjeoshkencave.
“Nga llogaritjet e fundit hidrologjike të IGJEUM, rezulton se, do të ulet ndjeshëm rreziku nga përmbytja e lumenjve në të gjithë territorin. IGJEUM parashikon që prurjet e lumenjve, do të kthehen në nivele normale për stinën dhe nuk janë të rrezikshme për përmbytje”.
Vëmendja tani kthehet në Veri të vendit, aty ku reshjet e dëborës kanë bllokuar disa akse. Sipas IGJEUM të hënën pasdite priten shtrëngata në qarqet e Veriut dhe Qendrës.
“Sot pasdite (e hënë, dt.04) reshjet do të vazhdojnë, por në zona më të kufizuara. Intensiteti i tyre do të jetë i dobët në shumicën e rasteve, por në disa raste ato do të jenë intensive shoqëruar me shtrëngata, kryesisht në qarqet e Veriut dhe të Qendrës (me kohëzgjatje të shkurtër). Reshjet do të jenë në formë dëbore në zonat malore, kryesisht në veri dhe lindje të vendit”.
Ndërsa për ditën e martë nuk pritet të ketë reshje, duke normalizuar edhe situatën.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.