Juncker: Italia, në drejtim të paditur – Rrezikon gjobën e BE. Salvini: Nuk do t’i përulemi askujt
Presidenti i Komisionit Europian, që po largohet, Jean-Claude Juncker, tha se Italia po shkon në një drejtim të paditur dhe rrezikon procedurat e defiçitit të tepërt të Bashkimit Europian. Ai tha se shpreson që ky veprim të shmanget, por kjo do të varet nga premtimet e ardhshme ekonomike të Romës. Italia dhe Komisioni Europian janë përplasur mbi problemet fiskale që kur koalicioni populist mori detyrën në Romë një vit më parë. Përfaqësuesit e qeverive të BE kanë rënë dakord këtë javë për garantimin e procedurave të gjobitjes së Italisë, prej rritjes së borxhit.
“E kemi bërë të qartë se mendojmë që Italia po shkon në një drejtim të paditur dhe rrezikon t’i futet procedurës së deficitit të tepërt. Unë preferoj që kjo të shmanget, por do të varet nga premtimet e Qeverisë italiane”, tha Juncker.
Nga ana tjetër, zv/Kryeministri, Matteo Salvini, paralajmëroi se Italia nuk do t’i përulet askujt dhe shtoi se koalicioni drejtues do të qëndrojë i bashkuar dhe synon të zgjasë për 4 vite të tjera. Megjithatë, liderët e koalicionit ranë dakord për të trajtuar shqetësimet e Bashkimit Europian. Kryeministri italian, Giuseppe Conte, tha se përpara se të kritikojnë politikat italiane, autoritetet e BE duhet t’i japin kohë qeverisë së Romës që të shpjegojë planet. “Përpara se të pranojmë gabimin, ai duhet të na japë mundësinë për të shpjeguar më mirë politikat tona”, tha Conte, duke i’u drejtuar presidentit të Komisionit, Jean-Claude Juncker.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.