Juncker përshëndet Ballkanin – “Progres i jashtëzakonshëm, deri në Maj duhen gjetur financimet”
Presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker mbylli turin e tij në rajon pikërisht në Sofje.
Të pranishëm në kryeqytetin bullgar ishin edhe liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, sëbashku me kryeministrin Rama si dhe përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian për politikën e jashtme dhe sigurinë Federica Mogherini.
Gjatë fjalës së tij, Juncker përsëriti sërish vullnetin e tij dhe të vendeve anëtare të unionit për t`u zgjeruar drejt Ballkanit Perëndimor.
Madje, ai shtoi se, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë të njëjtën peshë me ato të vendeve anëtare të unionit.
“Rajoni ka bërë një progres të jashtëzakonshëm dhe unë jam i impresionuar nga ky progres. Por, nga ana tjetër unë dua të këmbëngul në disa gjëra; si, nevoja për një luftë të besueshme ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, që është një e keqe që shkatërron shoqërinë. Dua ti them të gjithë miqve të mi që janë këtu me mua se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet t`i zgjidhin të gjitha konfliktet e tyre territorial pasi në Bashkimin Europian nuk ka vend për destabilitet të tillë. Në tërësi, Bashkimi Europian është i hapur për perspektivën e integrimit të rajonit”.
Ndër të tjera, Juncker foli edhe për rëndësinë e financimit të projekteve të përbashkëta. Mënyra e financimit të projekteve kyç në infrastrukturë duhet të gjejë zgjidhje përpara samitit të Sofjes në muajin Maj, nënvizoi ai.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.